Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar të enjten Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të Artan Fejzës, drejtorit të Prokurimit në këtë institucion.
Fejza është nën hetim paraprak nga hetuesit e IPK-së, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe për çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.
Sipas komunikatës së IPK-së, dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Në kuadër të hetimit, janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave, si dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.
IPK ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendimin e Fejzës është dhënë me qëllim të garantimit të integritetit dhe mbarëvajtjes së procesit hetimor. Suspendimi është rekomanduar deri në përfundimin e hetimit penal.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
IPK ka njoftuar se, për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, në këtë fazë nuk mund të ofrojë detaje të tjera lidhur me rastin.
