Artan Fejza, drejtor i Prokurimit në Policinë e Kosovës, i cili tashmë është nën hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës për dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit, dyshohet se është i përfshirë në një rast ku përfitues i një tenderi ishte bashkëshorti i motrës së tij.

Burime të Gazetës Online Reporteri.net thonë se hetimet përfshijnë edhe tenderë të dhënë përmes procedurave të negocimit për furnizim me ushqim dhe pjesë të veturave të Policisë, si dhe procedura të prokurimit që lidhen me tenderët konfidencialë të Policisë.

Burime të gazetës Online Reporteri thonë se në mesin e dhjetëra kontratave që po hetohen nga IPK-ja është edhe një tender për blerjen e pesë autobusëve të Policisë së Kosovës, të cilin në nëntor të vitit 2023 e kishte fituar Ideal Shala, bashkëshorti i motrës së Fejzës.

Reklamë

Bëhet fjalë për një kontratë në vlerë prej 1 milion e 188 mijë e 850 eurosh, e cila, ndonëse kishte kaluar nëpër disa faza të vlerësimit dhe rivlerësimit, nuk ishte nënshkruar përfundimisht.

Tenderi ishte shpallur më 20 shtator 2023, me vlerë të parashikuar prej 1.2 milionë eurosh. Në garë kishin marrë pjesë katër kompani, por gjatë procesit të vlerësimit tri prej tyre ishin eliminuar. Si operator i vetëm i suksesshëm ishte shpallur kompania e Ideal Shalës, me ofertë prej 1,188,850 eurosh.

Reklamë

Njëra nga kompanitë e eliminuara kishte ofruar çmim disa dhjetëra mijëra euro më të ulët se oferta e Shalës.

Në dokumentet e tenderit, emri i Artan Fejzës figuron në dokumentin me të cilin ishte nisur procedura, por edhe në dokumentin e 22 nëntorit 2023, kur ishte shpallur operatori i suksesshëm.

Procedura e prokurimit kishte nisur më 21 shtator 2023, ndërsa pas vlerësimit të ofertave dhe zhvillimeve të mëvonshme, më 29 maj 2024, fituese ishte shpallur sërish kompania “Ideal Shala B.I.” nga Parku i Biznesit në Drenas.

Reklamë

Kundër këtij vendimi ishte ankuar kompania “Prishtina Auto L.L.C.”, por ankesa e saj ishte refuzuar.

Pas konfirmimit të fituesit, më 30 gusht 2024 ishte planifikuar nënshkrimi i kontratës. Mirëpo, pas ankesave të paraqitura në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), procedurat ishin pezulluar përkohësisht dhe më pas ishte bërë rivlerësimi i ofertave.

Në fund, Policia ishte përcaktuar për një fitues, ndërsa nuk kishte pasur më ankesa nga operatorët ekonomikë. Megjithatë, kontrata nuk ishte nënshkruar, pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e kishte vënë firmën.

Në atë kohë, Policia e Kosovës kishte thënë se Fejza kishte kërkuar të lirohej nga procesi dhe vendimmarrja në këtë aktivitet të prokurimit, për shkak të konfliktit të interesit.

Reklamë

Sipas Policisë, për këtë tender ishte caktuar një zyrtar tjetër i prokurimit, i cili kishte udhëhequr procesin e vendimmarrjes.

Vetë Ideal Shala kishte konfirmuar lidhjen familjare me Fejzën, duke deklaruar për Insajderin: “z. Artan Fejza është miku im (vëllai i gruas time)”.

Shala kishte thënë se Fejza nuk kishte qenë vendimmarrës në këtë aktivitet të prokurimit dhe se kompania e tij kishte vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas dosjes së tenderit, Policia kishte kërkuar pesë autobusë, të cilët duhej të dorëzoheshin brenda 270 ditësh nga nënshkrimi i kontratës.

Reklamë

Hetimi i IPK-së për dhjetëra kontrata

Sot, më 5 nëntor, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se kishte nisur hetime paraprake ndaj drejtorit të Prokurimit në Policinë e Kosovës, Artan Fejza, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit publik.

Sipas IPK-së, hetimi përfshin dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale. Hetuesit janë duke shqyrtuar mënyrën e zhvillimit të procedurave, vendimmarrjen dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore.

Hetimi po zhvillohet në koordinim me Prokurorinë Speciale, ndërsa IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e Fejzës deri në përfundimin e hetimit penal.