Një person me inicialet B.M. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për mashtrim, pasi dyshohet se kishte përvetësuar të dhënat bankare të disa shtetasve norvegjezë dhe i kishte përdorur ato për të kryer porosi online në dyqane të ndryshme.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, të publikuar të enjten.
Sipas njoftimit, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, ndërsa i dyshuari, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, dyshohet se i kishte vënë në lajthitje personat e dëmtuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
“Përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, dyshohet se ka vënë në lajthitje të dëmtuarit, shtetas të Norvegjisë, duke i nxitur ata të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria bën të ditur se, pasi kishte siguruar të dhënat bankare të personave të dëmtuar, i dyshuari dyshohet se i kishte përdorur ato për të realizuar porosi në internet, kryesisht në dyqane që shesin pajisje elektronike.
“Si pasojë e këtyre veprimeve, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë kontrollit të urdhëruar nga organet e drejtësisë, janë sekuestruar shtatë telefona celularë, dy kompjuterë, dy USB, një veturë dhe dokumente të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, këto pajisje dhe dokumente do të shërbejnë si prova materiale në kuadër të procedurës penale.
Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.