Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Dukagjin Lekajt (Dukagjin Nikollaj), të cilin e ngarkon për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me ngjarjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant” ku kishte mbetur i vdekur një person.
Lekaj u arrestua në prill të 2025-ës në Spanjë. Gjykimi ndaj tij pritet të nisë nesër (6 nëntor) në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktakuzës, më 4 gusht 2023 rreth orës 23:10 në lokalin Bon Vivant në Prishtinë, paraprakisht ishte Dukagjin Lekaj së bashku me tani të ndjerin K.R., e më vonë shkon këtu i dëmtuari Andi Pajaziti, e kur e sheh Lekaj, e merr çantën që e kishte të vendosur afër ulëses ku edhe e kishte armën, e vendosë në qafë çantën në pjesën e përparme të gjoksit, duke e lënë të hapur, ku e fton Pajazitin me dorë.
Aktakuza thotë se pasi që Pajaziti nuk i shkon, më pas Lekaj shkoi dhe e mori Pajazitin te tavolina e vet ku ishte i ulur me tani të ndjerin K.R., dhe fillojnë të bisedojnë.
Aty thuhet se pas pak filloi të tensionohet situata, ku në mes tyre hyn Hisni Gecaj dhe ia kapë dorën e djathtë Lekajt dhe mundohet ta qetësojë situatën, ku më pas K.R., e godet nga mbrapa me shishe Pajazitin ndërsa, Geci vazhdimisht ia mbante dorën Lekajt i cili me dashje që ta privojë nga jeta Pajazitin, në vendin ku kishte shumë persona, e nxjerr armën nga çanta, mirëpo gjatë gjithë kohës dora i mbahet nga Geci derisa armën e kishte drejtuar te Pajaziti.
Në aktakuzë thuhet se kur largohet nga lokali Pajaziti, Lekaj i vihet nga mbrapa me qëllim që ta privojë nga jeta, mirëpo nuk ia arrin sepse i dëmtuari ishte larguar.
Me këto veprime, Lekaj ngarkohet me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, akuzohet se nga koha e pacaktuar deri në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën I të aktakuzës, në kundërshtim me Ligjin për armët ka mbajtur në posedim armën e tipit të panjohur.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Prokuroria ka propozuar që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
Ndryshe, lidhur me rastin në “Bon Vivant”, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Për këtë, Andi Pajaziti ishte liruar nga akuza derisa ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje, duke i marrë dy vite burgim. Vendimin e Themelores e vërtetoi edhe Apeli.
Në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më pas iu caktua masa e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast është Dukagjin Nikollaj, i cili u arrestua në Spanjë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e kishte bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.