Kombëtarja e Argjentinës nuk do ta përdorë fanellën legjendare me numrin 10 në ndeshjet e muajit nëntor, pas largimit të Lionel Messit nga futbolli ndërkombëtar.
Sipas raportimeve të mediumit argjentinas “TyC Sports”, përzgjedhësi Lionel Scaloni ka vendosur që asnjë futbollist të mos e bartë këtë numër në dy ndeshjet miqësore të këtij muaji.
Vendimi vjen pasi Messi i dha fund karrierës së tij me fanellën e Argjentinës në shtator, ndërsa ende nuk është marrë një vendim se cili futbollist do ta trashëgojë numrin që për vite me radhë ishte simbol i kapitenit dhe yllit të skuadrës.
Fanella me numrin 10 ka një histori të veçantë në futbollin argjentinas, pasi përveç Messit, atë e kanë bartur edhe legjenda të mëdha të këtij vendi, përfshirë Diego Maradonën.
Për momentin, numri 10 do të mbetet i lirë, ndërsa mbetet të shihet se kujt do t’i besohet kjo fanellë në të ardhmen.