Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar raportin e punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, nga drejtori i tij, Atdhe Hetemi, me ç’rast ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe ruajtjes së së vërtetës historike.

“E vërteta historike nuk duhet të humbasë, e as drejtësia të mbetet e papërfunduar. Dhe është përgjegjësi e jona që të mos lejojmë asnjëherë që e vërteta për luftën të harrohet, të relativizohet apo të shtrembërohet. Prandaj, puna e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, është një investim në kujtesën tonë kolektive dhe në trashëgiminë që ua lëmë brezave të ardhshëm”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit ka pranuar raportin e punës nga drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, ku janë të renditura të arriturat e institucionit.

Reklamë

“Sot pranova raportin e punës nga drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, ku janë të radhitura të arriturat mbresëlënëse. Ky Institut po krijon një bazë të qëndrueshme dokumentare dhe shkencore, e cila i shërben ruajtjes së vërtetës historike, po ashtu edhe sistemit të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë së Shtetit, sepse dokumentimi i krimeve është i domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës dhe vënien para drejtësisë të atyre që kryen krime ndaj popullit tonë”, ka shkruar ai.

Kurti ka përmendur edhe publikimin e listës preliminare të viktimave të luftës 1998-1999, në fund të muajit korrik, duke theksuar se ajo ndihmon institucionet në dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Përveç kësaj, ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti është avancuar puna shkencore, është zgjeruar bashkëpunimi ndërkombëtar përmes 21 marrëveshjeve me institucione partnere, si dhe janë realizuar mbi 127 intervista me të mbijetuarit, në kuadër të projektit “Kujtesa e masakrave”.

“Secila dëshmi e mbledhur dhe secili dokument i arkivuar i shërben ndërtimit të një kujtese institucionale për krimet e kryera gjatë luftës”, ka përfunduar Kurti.