Edhe pse zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) mbahen në nëntor të vitit 2027, gara për kryetar tashmë veç ka nisur, me tre kandidatë që kanë konfirmuar kandidaturat e tyre.
Deri më tani, Përparim Rama, Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi janë tre emrat që kanë konfirmuar se do të garojnë për kryetar të LDK-së.
Ndërsa, kreu aktual i partisë, Lumir Abdixhiku ende nuk e ka bërë të ditur nëse do të kërkojë një mandat të ri, ndërsa nënkryetari Lutfi Haziri, dhe deputeti Avdullah Hoti nuk kanë dhënë një përgjigje të prerë nëse do t’i hyjnë garës, kurse Armend Zemaj nuk e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes në garë. Ndërkaq, Kujtim Shala është përmendur si emër i mundshëm nga Avdullah Hoti, por deri më tani nuk ka konfirmuar kandidaturën, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së. Në deklarimin e tij për media, Rama jo vetëm që konfirmoi kandidaturën, por edhe i bëri thirrje kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, që të japë dorëheqje.
“A keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem kandidat për kryetar të LDK-së”, ka deklaruar Rama.
Ai ka arsyetuar ambicien e tij me rezultatin në Prishtinë, ku sipas tij, ka arritur ta rikthejë LDK-në në vendin e parë, ndërsa ka vlerësuar se Abdixhiku do të duhej të largohej nga drejtimi i partisë.
Edhe deputetja Hykmete Bajrami ka konfirmuar se do të hyjë në garë për kryetare të LDK-së.
Ajo këtë e bëri të ditur më 6 nëntor, duke përmendur gjendjen aktuale të partisë dhe nevojën për ndryshime në drejtimin e saj.
“Kam interesim dhe do të kandidoj për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që janë”, ka deklaruar Bajrami.
Në garë ka paralajmëruar se do të hyjë edhe deputeti Arben Gashi. Në një intervistë për Kanal 10, ai ka thënë se i plotëson kushtet për të kandiduar, duke përmendur ambicien, profilin dhe programin e tij.
“Besoj që i plotësoj formalitetet dhe kushtet që i pata: ambicien, profilin e programin. Meqenëse s’jemi ende në atë fazë, por jemi në politikë për një kohë të konsiderueshme dhe kam kontributin tim, mendoj se ka ardhur koha t’i shoh mundësitë se si bashkërisht ta bëjmë LDK-në dhe Kosovën më të mirë. Mund ta thuash me zë të qartë dhe të lartë”, ka deklaruar Gashi.
Përballë zërave që po kërkojnë dorëheqjen e tij, Abdixhiku ka rikujtuar se mandati i tij katërvjeçar përfundon më 19 nëntor 2027. Ai ka bërë të ditur se zgjedhjet e brendshme pritet të nisin në shtator të vitit të ardhshëm dhe të përfundojnë në nëntor.
“Mandati katërvjeçar përfundon më 19 nëntor të vitit 2027. Me siguri zgjedhjet do t’i nisim në shtator të vitit të ardhshëm dhe t’i mbyllim në nëntor”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se procesin e sheh ndryshe dhe se fillimisht duhet të ndërmerren disa veprime brenda partisë.
Haziri, ka thënë se, çështjet që lidhen me zgjedhjet duhet të diskutohen në LDK, dhe se, duhet të bëhen përgatitjet e hershme.
“Kam thanë që LDK të kthehet në shtëpi. Duhet me kthy në shtëpi, me i diskutu çështjet që lidhen me zgjedhjet. Përgatitjet e hershme, duhet me i forcu normat, me i ndërmarrë veprimet mëdha për ndryshime staturore, strukturore dhe me krijuar një ambient për garë të mirë”, ka deklaruar ai.
I pyetur se a planifikon që ai vetë të kandidojë, Haziri, ka thënë se ai e sheh ‘’procesin ndryshe’’.
“Unë jam prej atyre që e shoh procesin ndryshe, e natyrisht që edhe unë kam garu në ditë të vështira, nuk i frikësohem garës. Por për mua duhet me u ndërmarrë këto veprime”, ka shtuar ai.
Haziri, ka komentuar edhe kandidaturën e Hykmete Bajramit, Arben Gashit e Përparim Ramës, duke thënë se i janë “vlerë kandidaturave”.
“Hykmetja, Arbeni, i japin vlerë kandidaturave eventuale, janë autoritete, emra kredibil, kredibilitet edhe procesit politik. Përparim natyrisht është njeri prej tyre. Tash mbetet me pa kur vjen koha, sepse sa më shpejt mendoj, është ma mirë me u zbardhë një agjendë zgjedhore është në vitin e fundit të këtij mandati LDK’ja”, ka shtuar ai për indeksonline.
Edhe deputeti Avdullah Hoti nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse do të kandidojë. Ai ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar me kolegët partiakë për gjetjen e një kandidati që do ta bashkonte LDK-në.
Hoti ka përmendur emrat e Kujtim Shalës, Hykmete Bajramit dhe Përparim Ramës si figura që, sipas tij, do t’i bënin nder partisë në rast se do të merrnin mbështetjen për drejtimin e saj. Ai ka shtuar se në garë mund të hyjnë edhe emra të tjerë.
Ndërkaq, deputeti Armend Zemaj ka lënë të hapur mundësinë që edhe ai të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.
I pyetur nga RTV21 nëse e mbështet Përparim Ramën për këtë pozitë, Zemaj ka thënë se LDK-ja ka shumë emra dhe se duhet pritur zhvillimi i procesit të brendshëm.
“LDK ka shumë emra. Më vjen mirë që njëri ndër ta, zoti Rama, ka shprehur këtë gatishmëri, por duhet të presim procesin. Duhet të na pyesin edhe neve, të gjithëve”, ka deklaruar Zemaj më 20 tetor.
I pyetur nëse do ta votonte Ramën, Zemaj është përgjigjur: “Ta shoh njëherë për veten, tani për Ramën”. /Reporteri.net/.