Ish-presidenti venezuelas Nicolás Maduro, i cili pret gjyqin në një burg në Bruklin, e kalon pjesën më të madhe të kohës duke lexuar tekste fetare — përfshirë Biblën dhe Kuranin — dhe ka humbur një sasi të konsiderueshme peshe, raporton “The New York Times”.

Rrëfimi i gazetës bazohet në biseda me gjashtë persona të njohur me situatën e Maduros në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan (MDC) në Bruklin, ku ai mbahet që nga janari, kur u kap nga forcat amerikane në Karakas.

Sipas këtyre burimeve, Maduro ka studiuar tekste fetare e filozofike dhe është takuar me klerikë të burgut, përfshirë një prift katolik dhe një rabin. Burimet për “The New York Times” e përshkruajnë interesin e tij për spiritualitetin si diçka që ekziston prej kohësh.
Maduro ka deklaruar më parë publikisht se ka prejardhje hebreje, duke e përshkruar veten si pasardhës i një komuniteti sefardik që emigroi në Venezuelë nga Antilet Hollandeze. Megjithatë, sipas personave të afërt me të, ai nuk kishte shfaqur interes për judaizmin para arrestimit të tij.

Reklamë

Ish-presidenti është një katolik praktikant. Gjatë kohës që ishte në pushtet, ai u përpoq të fitonte mbështetjen e të krishterëve ungjillorë në Venezuelë dhe mbajti një marrëdhënie të ngushtë me një prift që përkrahte idetë socialiste.

Persona të njohur me situatën e tij thonë se Maduro ka humbur shumë peshë që kur mbërriti në burg. Dy burime për “The New York Times” sugjerojnë se ushqimi i burgut — për cilësinë e të cilit Maduro është ankuar — ka qenë një nga faktorët ndikues.

Djali i tij, Nicolás Maduro Guerra, ka pretenduar më parë se babai i tij duket më i dobët sepse ushtrohet çdo ditë. Qendra e Paraburgimit Metropolitan (MDC) në Bruklin është përballur prej vitesh me kritika për shkak të kushteve të këqija; gjithashtu, avokatë dhe ish-të burgosur janë ankuar për ushqim të prishur. Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për trafikim droge.