Ministria e Ekonomisë ka dalë me reagim lidhur me sulmin ndaj një zyrtari që ndodhi sot brenda objektit të këtij dikasteri, i cili dyshohet se kërcënoi me armë zjarri një koleg të tij, konkretisht udhëheqësin e departamentit ku punonte.

Sipas ministrisë, ashtu edhe siç u konfirmua, rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, zyrtari i dyshuar është arrestuar.

“Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente.”

Reklamë

Në njoftim thuhet se zyrtari i dyshuar është subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.

“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë.”

Po ashtu është bërë me dije se do të ndërmerren të gjitha veprimet për trajtimin institucional të rastit, por jo edhe detajet e rrethanave.

“Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë.

Rasti në lidhje me këtë sulm është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë. Deri në pranimin e raportit nga ana e organeve kompetente, Ministria nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit.”

Reklamë