Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar kryetaren e Parlamentit të Shtetit të Bavarisë, Ilse Aigner, si kandidate për postin e presidentes federale të Gjermanisë, duke e cilësuar atë si një politikane të qendrës, me bindje të qarta demokratike dhe aftësi për të ndërtuar ura mes qytetarëve dhe forcave të ndryshme politike.
Duke prezantuar kandidaturën e saj, Merz vlerësoi përgjegjshmërinë, humanizmin dhe aftësinë komunikuese të Aigner, duke theksuar se Gjermania ka nevojë për një figurë që mund të mbështesë qendrën demokratike dhe të forcojë unitetin shoqëror.
“Me Ilse Aigner, Gjermania fiton një presidente me vlera, me zemër, sharm dhe karizëm”, deklaroi ai.
Nga ana e saj, Aigner e priti propozimin me emocion, përulësi dhe respekt, duke e cilësuar kandidaturën si një mesazh përballë forcave populiste.
Ajo paralajmëroi se demokracia gjermane po përballet me kërcënime të brendshme dhe të jashtme dhe premtoi se do të përdorë një gjuhë të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshme për qytetarët.
“Unë nuk do të qëndroj mbi qytetarët, unë jam pjesë e tyre”, u shpreh ajo, duke nënvizuar filozofinë e saj politike dhe afërsinë me njerëzit.
Ilse Aigner, 61 vjeçe, njihet në Gjermani si një politikane e thjeshtë, miqësore dhe e afërt me qytetarët.
Ajo shpesh është vlerësuar për komunikimin e drejtpërdrejtë, gatishmërinë për të dëgjuar njerëzit dhe mënyrën praktike të trajtimit të problemeve. Gjatë karrierës së saj ka fituar reputacionin e një politikaneje realiste dhe efektive, veçanërisht në menaxhimin e situatave të vështira.
Rruga e saj drejt majave të politikës gjermane është e pazakontë. Ndryshe nga shumë figura të tjera të nivelit të lartë, Aigner nuk ka diplomë universitare dhe as diplomë të shkollës së mesme. Ajo vjen nga një familje e zakonshme në Bavarinë, ku babai i saj punonte si elektricist.
Interesimi për teknologjinë e çoi drejt formimit profesional si teknike e elektronikës për radio dhe televizion. Më pas punoi në kompaninë Eurocopter, ku u angazhua në zhvillimin e teknologjisë elektronike për helikopterët Airbus H135.
Karrierën politike e nisi në qytetin e saj të lindjes, Feldkirchen-Westerham, duke iu bashkuar Unionit Social Kristian (CSU). Më pas u zgjodh në këshillin rajonal të Rosenheim dhe në Bundestag, përpara se të bëhej pjesë e qeverisë federale të Angela Merkelit, ku shërbeu si ministre e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Pas një periudhe në politikën federale, Aigner u rikthye në Bavari, ku mbajti disa poste të rëndësishme qeveritare, përfshirë atë të zëvendëskryeministres, ministres së Ekonomisë dhe më vonë të Strehimit dhe Transportit.
Në vitin 2018 u zgjodh presidente e Parlamentit të Bavarisë, detyrë që vazhdon ta mbajë. Gjatë kësaj periudhe ajo ka ndërtuar një profil të respektuar edhe përtej kufijve partiakë, duke promovuar dialogun, kohezionin shoqëror dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.
Angazhimi i saj përfshin edhe vizita simbolike, si ajo në Srebrenicë, ku u takua me familjarë të viktimave të terrorizmit.
Kandidatura e Aigner shihet si një përpjekje për të sjellë në krye të shtetit një figurë që mishëron afërsinë me qytetarët dhe komunikimin përtej ndasive politike. Sipas vlerësimeve të analistëve, propozimi i saj ka pasur edhe mbështetjen vendimtare të kreut të CSU-së dhe kryeministrit bavarez, Markus Söder.
Me një karrierë të ndërtuar jashtë rrugëve tradicionale akademike dhe politike, Ilse Aigner paraqitet si një kandidate që synon të përfaqësojë një Gjermani më të bashkuar, ku demokracia, dialogu dhe afërsia me qytetarët mbeten në qendër të institucioneve shtetërore.