Ministria e Ekonomisë konfirmon se në objektin e saj ka ndodhur një sulm serioz, gjatë të cilit një zyrtar i Ministrisë ka kërcënuar me armë zjarri një koleg të tij, i cili ushtron detyrën e udhëheqësit të tij të drejtpërdrejtë.

Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente.

“Ministria sqaron se zyrtari i dyshuar është subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës. Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Reklamë

Ministria do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e çdo përgjegjësie eventuale disiplinore apo administrative.

Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë.

Rasti në lidhje me këtë sulm është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë. Deri në pranimin e raportit nga ana e organeve kompetente, Ministria nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit.