Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 kanë nxitur debat mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, gjatë diskutimeve në Komisionin për Buxhet.

Hoti ka kritikuar Qeverinë për mungesë të përgjegjësisë në organizimin e kësaj ngjarjeje sportive, duke kërkuar që ekzekutivi të marrë përsipër financimin e projekteve të nevojshme, në rast se Komuna e Prishtinës nuk arrin t’i realizojë ato.

Sipas tij, Qeveria duhet të marrë pronësinë mbi të gjithë procesin dhe të sigurojë që projektet infrastrukturore të përfundojnë në kohë, përkatësisht deri në vitet 2027 ose 2028.

Reklamë

“Me Komunën e Prishtinës ‘kërrsh’ jeni bërë, duke u shtyrë njëri me tjetrin. Duhet të marrësh pronësi, ti Qeveri je. Duhet të marrësh pronësi për të gjitha ato, për krejt buxhetin që duhet për Lojërat Mesdhetare, edhe t’i inkuadrosh në buxhet nëse Komuna e Prishtinës nuk e bën, edhe komunat tjera, sepse do të shpërndahen gjithandej. Në vitin 2030 do të ndodhin, ndërsa më 2027 ose 2028 do të duhej të përfundonin plotësisht”, tha Hoti.

Në përgjigje, ministri Hekuran Murati deklaroi se mjetet financiare për Lojërat Mesdhetare janë paraparë në buxhetin e Ministrisë së Sportit.

Megjithatë, ai tha se ende nuk janë përcaktuar lokacionet për të gjitha sportet, ku parashihet ndërtimi i objekteve sportive.

“Tek çështja e Lojërave Mesdhetare, edhe këtu kemi situatën e ngjashme, meqenëse ende nuk ka saktësim të lokacioneve për të gjitha sportet ku parashihet të ketë ndërtime. Ideja ka qenë që të ketë një grumbullim dhe, në momentin që ka qartësim, Ministria e Sportit mund të vazhdojë me zbatimin e projektit. Buxhetimin, pra, jemi munduar që ta akomodojmë të gjithë shumën në buxhetin e Ministrisë së Sportit”, deklaroi Murati.