Vëllezërit Bellingham po bëjnë bujë në Angli. Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, e ka ftuar për herë të parë në kombëtaren A mesfushorin e Borussia Dortmundit, Jobe Bellingham, për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kroacisë dhe Spanjës.

Kështu, 21-vjeçari do të ndajë dhomën e zhveshjes me vëllain e tij më të madh, Jude Bellingham, yllin e Real Madridit.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kombëtaren angleze që nga koha e vëllezërve Gary dhe Phil Neville, gjatë viteve 1990 dhe 2000.

Reklamë

Kjo ftesë vjen në një moment të rëndësishëm për Jobe Bellingham, duke shpërblyer zhvillimin e tij të vazhdueshëm dhe paraqitjet gjithnjë e më të mira.

“Ai është kapiten i kombëtares U21 dhe besoj se dera duhet të jetë gjithmonë e hapur për futbollistët që paraqiten në një nivel të jashtëzakonshëm për një periudhë të gjatë. Pikërisht këtë ka bërë Jobe”, shpjegoi Tuchel vendimin e tij.

Transferimi i tij nga Sunderlandi te Borussia Dortmundi në vitin 2025 erdhi me pritshmëri të mëdha.

Klubi gjerman pagoi rreth 35 milionë dollarë për një futbollist që vinte nga kategoria e dytë e futbollit anglez dhe që njëkohësisht mbante mbi supe peshën e mbiemrit të famshëm Bellingham.

Megjithatë, sezoni i tij i parë ishte zhgënjyes.

Reklamë

Jobe pati vështirësi për t’u përshtatur me intensitetin e Bundesligës dhe nuk arriti të sigurojë një vend të rregullt në formacionin titullar.

Një moment veçanërisht i vështirë për të ishte paraqitja e parë në “Allianz Arena”, ku një gabim pas inkuadrimit nga banka rezervë kontribuoi në humbjen e Dortmundit.

Një vit më vonë, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Futbollisti që dikur vihej në dyshim për aftësitë e tij, tashmë është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm në planet e trajnerit Niko Kovac.

Një pjesë e madhe e këtij ndryshimi lidhet me rolin e tij të ri në mesfushë. Me Joey Veermanin që ka marrë më shumë përgjegjësi në organizimin e sulmeve dhe Felix Nmecha që ofron energji dhe lëvizshmëri, Bellingham ka më shumë liri për të depërtuar në zonat e avancuara.

Reklamë

Loja e tij karakterizohet nga forca fizike, dinamizmi, aftësia për të fituar duelet individuale, vrapimet e pandërprera dhe nuhatja për t’u shfaqur në zonën kundërshtare.

Por, ai ka përmirësuar edhe aspekte të tjera më pak të dukshme të lojës. Lexon më shpejt situatat, qarkullon topin më shpejt dhe merr vendime më të mira gjatë posedimit. Këto përmirësime e kanë bërë më të rrezikshëm në sulm, pa cenuar përgjegjësitë e tij në fazën defensive.

Barazimi 2-2 ndaj Bayern Munichut ishte dëshmia më e qartë e progresit të tij.

Në “Der Klassiker”, në atë që konsiderohet paraqitja e tij më e kompletuar që nga transferimi në Gjermani, Jobe përshkoi 12 kilometra, realizoi 15 sprintime, pati 48 prekje të topit dhe regjistroi saktësi prej 85 për qind në pasime.

Reklamë

Përveç kontributit fizik, ai shkëlqeu edhe në mbylljen e hapësirave, presingun ndaj kundërshtarëve, rikuperimin e topave dhe krijimin e mundësive për sulm.

Më herët, ai kishte dhënë edhe një kontribut vendimtar me asistimin për golin e fitores së Maximilian Beierit ndaj Eintracht Frankfurtit.

“Ai është një futbollist i lindur për ndeshjet e mëdha. Këtë e dëshmoi edhe sot”, deklaroi Ole Book, drejtori sportiv i Borussia Dortmundit.

Progresi i tij lidhet ngushtë edhe me karakterin, i cili po lë gjithnjë e më shumë gjurmë në dhomën e zhveshjes. Kovac ka gjetur një futbollist të përkushtuar, profesionist dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi.

Reklamë

“Ai është plotësisht i pasionuar pas futbollit, i përkushtuar ndaj profesionit dhe ka shumë pak gjëra që ia shpërqendrojnë vëmendjen. Është ndër të parët që mbërrin dhe ndër të fundit që largohet nga qendra stërvitore”, shpjegoi trajneri kroat.

Tani, për të po vjen një sfidë edhe më e madhe.

Debutimi me Anglinë mund t’ia realizojë ëndrrën për të luajtur përkrah Jude Bellinghamit në kombëtaren A. Megjithatë, Jobe po ndërton identitetin e tij si futbollist, pa u kufizuar vetëm në rrugën që ka ndjekur vëllai i madh.

Derisa Jude dallohet për dinamizmin, aftësinë për të krijuar rrezik dhe për të bërë diferencën në sulm, Jobe po ndërton reputacionin e tij mbi ekuilibrin, forcën fizike dhe inteligjencën taktike.

Ky është momenti i tij. Dhe mund të jetë edhe momenti i Anglisë, nëse Jobe arrin të zhvillohet në të njëjtën mënyrë si vëllai i tij, Jude.