Në kohën kur po zhvillohen arrestime të shumta të personave të ndryshëm në Serbi, të lidhur me ish-pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, krimineli i njohur, Zvonko Veselinoviq, raportohet se është nisur këtë mëngjes drejt Turqisë.
Veselinoviq ka lidhje të afërta me majat e ish-pushtetit dhe me Andrej Vuçiqin, vëllain e Aleksandar Vuçiqit. Ai kishte ndikim në emërimet në policinë serbe, ndërsa kompania e tij ka përfituar miliona euro nga projektet shtetërore, siç dëshmohet nga mesazhet në aplikacionin “Sky” (Skaj), të cilat KRIK i publikoi para dy vitesh.
Zvonko Veselinoviq është nisur me fluturimin e hershëm të mëngjesit nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe, u është thënë gazetarëve të KRIK-ut.
Udhëtimi i tij drejt Stambollit ndodh në kohën kur po zhvillohen arrestime të biznesmenëve kontroversë dhe zyrtarëve, të cilët gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS) kishin një pozitë të privilegjuar, që u mundësonte të shkelnin ligjin pa pengesa dhe të pasuroheshin.
Turqia, ndërkaq, gjatë pesë viteve të fundit është bërë një nga vendet kryesore ku strehohen pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale të Ballkanit.
Në raportet e policisë dhe të shërbimeve të sigurisë, të cilat gazetarët e KRIK-ut i kanë publikuar më herët, Veselinoviq është cilësuar si njëri prej kriminelëve kryesorë serbë në Kosovë. Në këto raporte thuhet gjithashtu se grupi i tij merret me kontrabandimin e drogës, armëve dhe naftës, fajde, si dhe pastrim parash.
Në Serbi, ai është akuzuar disa herë për vepra të ndryshme penale, përfshirë kontrabandë droge, vjedhje kamionësh dhe gërmime të paligjshme të rërës. Megjithatë, shumica e proceseve gjyqësore ndaj tij kanë përfunduar me aktgjykime lirimi, gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Krimi më i rëndë për të cilin dyshohet Veselinoviq është përfshirja në vrasjen e politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës thotë se në këtë vrasje është i përfshirë edhe kumbari i Veselinoviqit, Milan Radoiçiq. Të dy kanë pasur mbrojtjen e ish-presidentit të Serbisë.
Në fund të vitit 2021, Veselinoviq u përfshi edhe në listën e sanksioneve të Thesarit amerikan, për shkak të dyshimeve se kishte korruptuar politikanë për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të tij të paligjshme. Një vit më vonë, sanksione ndaj tij vendosi edhe Mbretëria e Bashkuar.
Pavarësisht të gjitha këtyre, Veselinoviq gëzonte mbrojtje në Serbi. Lidhjet e tij politike shtriheshin deri në nivelet më të larta të pushtetit dhe ai kishte afërsi me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb, për të cilën KRIK kishte shkruar para disa vitesh.
Lidhjet politike i kanë mundësuar atij jo vetëm të jetonte i lirë, por edhe të pasurohej. Kompania e tij e ndërtimit fitonte miliona euro duke marrë pjesë në projekte shtetërore.
Mesazhet në aplikacionin “Sky”, të publikuara nga KRIK para dy vitesh, zbuluan mënyrën se si Veselinoviq siguronte këto kontrata të majme shtetërore dhe përfitonte financiarisht prej tyre.
“Vëlla, e di sa miliona merr. Edhe kjo nuk i mjafton”, kishte shkruar njëri prej kriminelëve të grupit rival, duke përshkruar pangopësinë e Veselinoviqit.
Mesazhet e publikuara nga KRIK tregojnë se Veselinoviq kishte ndikim edhe në emërimet në policinë serbe. Ndër të tjera, në vitin 2020 ai ishte kundër emërimit të Veselin Miliqit, në atë kohë shef i Drejtorisë së Policisë Kriminalistike (UKP), ndërsa sot i akuzuar për mosraportimin e një vrasjeje, në pozitën e drejtorit të policisë.
Sipas mesazheve, ai i kishte thënë Andrej Vuçiqit se nuk do ta ndihmonte më SNS-në nëse Miliqi do ta merrte këtë pozitë.