Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh.
Gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit, Murati tha se buxheti i vitit të ardhshëm do të financohet kryesisht nga të hyrat buxhetore, të cilat parashihen të arrijnë në 4 miliardë e 2 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet përmes financimit të deficitit, në përputhje me rregullën fiskale.
Sipas tij, deficiti buxhetor është planifikuar në dy për qind të Bruto Produktit Vendor, i cili parashihet të jetë 13.3 miliardë euro. Kjo nënkupton nevojë për financim prej 266 milionë eurosh.
“Sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm, bëhet fjalë për 4 miliardë e 268.7 milionë euro në anën e shpenzimeve buxhetore. Këto shpenzime financohen kryesisht nga të hyrat, që janë 4 miliardë e 2 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër është financim i deficitit, në kuadër të rregullës fiskale. Për vitin e ardhshëm parashihet deficiti buxhetor prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor”, tha Murati.
Sipas ndarjes buxhetore, për paga janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 1 miliard e 70 milionë euro.
Murati theksoi se nga viti 2027 nuk do të zbatohet më klauzola e investimeve, pasi investimet kapitale do të financohen përmes grantit buxhetor dhe deficitit të paraparë brenda kufirit prej dy për qind të BPV-së.
Megjithatë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, kritikoi planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale, duke thënë se në vazhdimësi ka pasur mospërputhje mes shumave të planifikuara dhe realizimit të tyre.
Ai tha se një buxhet me shifra të mëdha nuk nënkupton domosdoshmërisht mirëqenie më të madhe për qytetarët, sidomos në kushtet e inflacionit të lartë.
Lushtaku ngriti edhe çështjen e subvencioneve për bujqësi, duke kritikuar vonesat në mbështetjen financiare për fermerët. Ai kërkoi që subvencionet të ndahen me këste, në mënyrë që fermerët të kenë mbështetje që në fillim të punëve bujqësore.
Po ashtu, ai kërkoi sqarime për projektet që në projektbuxhet janë planifikuar me zero euro, si dhe për projektet e reja që kanë ndarje prej vetëm një milion eurosh për vitin 2027, ndonëse realizimi i tyre parashihet për vitet 2028 dhe 2029.
Në përgjigje, Murati tha se mosrealizimi i plotë i investimeve kapitale është problem i vazhdueshëm dhe nuk lidhet vetëm me qeverinë aktuale.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore janë kapacitetet zbatuese në ministritë e linjës dhe në organizatat buxhetore në nivel lokal.
Ai pretendoi se ka përmirësim të trendit të realizimit të investimeve kapitale, ndërsa sa i përket inflacionit, përmendi luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Gjirin Persik si dy faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se buxheti nuk duhet të trajtohet vetëm si dokument financiar, por si dokument strategjik që përcakton drejtimin ekonomik të vendit.
Hoti kritikoi mungesën e një plani të qartë për ruajtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve, duke përmendur pagat, pensionet, asistencën sociale dhe skemat e tjera mbështetëse.
Ai tha se rreth një e treta e të ardhurave kombëtare mblidhet nga shteti dhe se për këtë arsye buxheti duhet të përcaktojë qartë prioritetet në sektorët kryesorë.
Në veçanti, Hoti ngriti çështjen e shpenzimeve të qytetarëve për shëndetësi, duke thënë se rreth 40 për qind e shpenzimeve shëndetësore paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i familjeve.
Ai kritikoi edhe mungesën e progresit në përfundimin e rrugëve kryesore dhe kërkoi sqarime për konceptin e Qeverisë në zhvillimin e infrastrukturës dhe hekurudhave, përfshirë lidhjen hekurudhore me Durrësin.
“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik. Rreth një e treta e të ardhurave kombëtare qeveria ua merr qytetarëve dhe bizneseve. Ne duhet t’i japim drejtim ekonomisë përmes buxhetit. Cili është plani juaj strategjik në shëndetësi, në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë 40 për qind të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre? Cili është koncepti juaj për infrastrukturën? Nuk mund të vazhdojmë me vite pa përfunduar asnjë prej arterieve kryesore. Çfarë po bëhet me hekurudhën për Durrës?”, deklaroi Hoti.
Në përgjigje, Murati tha se jo të gjitha zotimet e Qeverisë mund të përfshihen në ndarjet buxhetore të vitit 2027, pasi projektbuxheti nuk mbulon tërë mandatin qeverisës.
Ai shtoi se disa projekte nuk kërkojnë domosdoshmërisht financim të drejtpërdrejtë nga buxheti dhe përmendi si shembull aeroportin dhe Brezovicën.
Murati iu referua edhe shtesave për fëmijë, duke kujtuar se gjatë prezantimit të një buxheti në vitin 2021, Hoti kishte ngritur vërejtje për mungesën e tyre në ndarjet buxhetore.
Kjo nxiti reagimin e deputetit të LDK-së, i cili e akuzoi Muratin se po ia shtrembëronte deklaratat.
“Kurrë nuk mund të më citosh, çka të flet ti e shtrembëron. Kurrë fjalën tënde të mirëqenë nuk e marrim”, reagoi Hoti.
Murati foli edhe për Fondin Zhvillimor të Veriut, duke thënë se ai është rezultat i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e cila është ratifikuar edhe me votat e deputetëve të LDK-së.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, e pyeti ministrin e Financave se sa janë adresuar problemet financiare të trashëguara nga qeveritë e kaluara, duke përmendur në veçanti borxhet dhe faturat e papaguara.
Në përgjigje, Murati tha se në momentin kur kanë marrë mandatin qeverisës, faturat e papaguara më të vjetra se 30 ditë kanë qenë në vlerë mbi 140 milionë euro.
Sipas tij, në vitin 2025 kjo shumë është ulur në 20 milionë euro.
“Sa i përket borxheve apo faturave të papaguara që janë dorëzuar dhe kanë qenë më të vjetra se 30 ditë, në momentin kur kemi marrë mandatin kanë qenë mbi 140 milionë euro. Në vitin 2025 kemi arritur ta sjellim këtë shifër në 20 milionë euro”, tha Murati.
Në këtë mbledhje, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, kritikoi ndarjen buxhetore për rrugën Dollc-Gjakovë.
Ajo tha se për vitin 2027 janë planifikuar vetëm tre milionë euro për këtë projekt, ndërsa për vitet 2028 dhe 2029 nuk është paraparë asnjë shumë.
Haxhiu ngriti edhe çështjen e shpronësimeve, duke pretenduar se nuk është paguar asnjë kompensim për pronarët e tokave. Ajo tha se vonesat në realizimin e punimeve në këtë rrugë kanë pasur pasoja të rënda, duke përmendur edhe aksidentet me fatalitet.
“Po ndalem shkurt te rruga Dollc-Gjakovë. Asnjë cent i vetëm nuk është paguar për shpronësime. Ju si Qeveri dhe si ministër keni ndarë për këtë rrugë në vitin 2027 vetëm tre milionë euro, ndërsa nuk keni ndarë asnjë cent për vitet 2028 dhe 2029. Punimet janë kryer rreth 50 për qind, por sipas këtij buxheti nuk keni paraparë mjete të tjera për vitet në vijim. Pra, shpërndarje me zero, mos mashtroni”, tha Haxhiu.