Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të mjeteve financiare të përfituara përmes dy granteve, në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh.

Sipas komunikatës për media, të dyshuarit me inicialet H.L. dhe T.M., shtetas kosovarë, dyshohet se në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie kanë keqpërdorur gjithsej 62 mijë e 902 euro.

Ata dyshohen për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.

Reklamë

Hetimet lidhen me një rast të datës 4 tetor 2026, ndërsa arrestimet janë realizuar më 11 nëntor.

Sipas hetimeve, granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet se është keqpërdorur në shumën prej 23 mijë eurosh. Të dyshuarit dyshohet se kanë paraqitur raporte të rreme, duke pretenduar se shpenzimet për blerjen e makinerive ishin realizuar në tërësi.

Ndërkaq, nga granti i dytë, në vlerë prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro, po ashtu përmes raportimit të rremë për realizimin e shpenzimeve të blerjes së makinerive.

“Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 euro në tërësi”, thuhet në komunikatën për media.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit të rastit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Reklamë