Deri më tani askush nuk ka aplikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, për të cilën Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs më 5 nëntor, pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga kjo pozitë.
Këtë e ka konfirmuar MPB-ja në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, duke bërë të ditur se deri më tani nuk ka pranuar asnjë aplikim.
“Deri më tani, Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ka pranuar aplikime për këtë pozitë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ministria ka bërë të ditur se konkursi është shpallur më 5 nëntor 2026, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa afati për aplikim është deri më 19 nëntor.
Sipas MPB-së, përderisa afati i konkursit është ende i hapur, nuk mund të nxirren përfundime për interesimin apo mungesën e interesimit të zyrtarëve policorë për këtë pozitë.
“Duke qenë se afati i konkursit është ende i hapur, MPB nuk mund të nxjerrë përfundime lidhur me interesimin apo mungesën e interesimit të zyrtarëve policorë për të aplikuar në këtë pozitë”, thuhet tutje në përgjigjen e ministrisë.
Reporteri.net e ka pyetur MPB-në edhe nëse ka interesim nga zyrtarët policorë që aktualisht mbajnë pozita udhëheqëse në Policinë e Kosovës, por ministria nuk ka dhënë një përgjigje konkrete për këtë çështje.
Konkursi është hapur pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Pas dorëheqjes së tij, Fehmi Hoti është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm.
Afati për aplikim për këtë pozitë përfundon më 19 nëntor 2026./Reporteri.net/