Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës, ndërsa në katër prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Në një rast tjetër, i dyshuari gjendet jashtë shtetit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në Fushë Kosovë është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Gjilan, ku një burrë dyshohet se për një kohë të gjatë kishte ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij. Edhe në këtë rast, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Reklamë

Në Gjakovë, Policia ka arrestuar një person, nën dyshimin se kishte keqtrajtuar nënën e tij. Sipas raportit, viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Edhe në Malishevë është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Pejë është raportuar një rast i kanosjes ndaj një gruaje dhe babait të saj. Sipas Policisë, gruaja kishte raportuar se ditë më parë ishte kanosur përmes telefonit nga një burrë me të cilin kishte bashkëjetuar për një kohë. I njëjti më pas dyshohet se kishte kanosur edhe babanë e saj. I dyshuari gjendet jashtë shtetit, ndërsa rasti është duke u hetuar.