Kombëtarja e Portugalisë do t’i bëjë një homazh të veçantë Cristiano Ronaldos në ndeshjen e së shtunës kundër Danimarkës, ku të gjithë futbollistët portugezë do të zbresin në fushë me fanellën me numrin 7, atë që për vite me radhë është identifikuar me yllin portugez.
Sipas raportimeve të mediave portugeze, Diário de Notícias dhe A BOLA, kjo iniciativë është vendosur në një takim të mbajtur të enjten, ku morën pjesë presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, përzgjedhësi Jorge Jesus dhe kapitenët aktualë të ekipit, Bernardo Silva, Rúben Dias dhe Bruno Fernandes.
Homazhi synon të vlerësojë kontributin dhe trashëgiminë e Ronaldos në fanellën e kombëtares, që nga debutimi i tij në gusht të vitit 2003 e deri te vendimi për t’i dhënë fund paraqitjeve me Portugalinë.
Përveç paraqitjes me numrin 7 në fanella, në minutën e shtatë të ndeshjes është planifikuar edhe një homazh simbolik, ku pritet të përfshihen edhe tifozët në stadiumin e Bragës. Të dyja iniciativat kanë marrë miratimin paraprak të UEFA-s.
Në shenjë respekti për ish-kapitenin, Federata Portugeze e Futbollit ka ndërmarrë edhe një veprim tjetër simbolik. Dhoma që Ronaldo zakonisht e shfrytëzonte në qendrën stërvitore të kombëtares është lënë bosh gjatë grumbullimit aktual.
Portugalia dhe Danimarka përballen të shtunën nga ora 20:45, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit A4 të Ligës së Kombeve.