Dy deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku dhe Avdullah Hoti, janë përplasur mes vete për gjendjen e sektorit të energjisë elektrike në Kosovë dhe përgjegjësinë politike për të.

Gjithçka ka nisur pas një statusi të Sadikut në Facebook, ku ai kritikoi mungesën e investimeve në sektorin energjetik dhe kërkoi reflektim nga të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet. Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e deputetit Avdullah Hoti, i cili ia ka kujtuar Qeverisë Kurti anulimin e projekteve të mëdha energjetike, shkruan Reporteri.net.

Sadiku në postimin e tij të parë kritikoi mungesën e investimeve dhe faktin që Kosova vazhdon të mbështetet në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, të cilat kanë nisur ndërtimin përkatësisht në vitin 1960 dhe 1977.

Reklamë

Ai ka thënë se Kosova sot prodhon më pak energji elektrike sesa para dhjetë vjetësh, duke kërkuar reflektim nga të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet.

“Termocentrali Kosova A ka nisur të ndërtohet në vitin 1960, ndërsa Kosova B në vitin 1977. Edhe sot, pas kaq dekadash, vazhdojmë ta mbështesim shtetin, ekonominë dhe jetën tonë në këto dy termocentrale.
Kosovën e kemi udhëhequr vetë. Albini tash e 7 vjet, Hashimi për shumë vite, e besa edhe ne, LDK-ja, kemi qenë gjatë në pushtet. Është koha të reflektojmë. Të gjithë. Pa përjashtim. Duhet të ulemi bashkë dhe ta ndërtojmë një strategji afatgjatë për energjinë. Pa interesa partiake, pa inate, pa ego personale. Me ekspertë, me dije dhe me përgjegjësi shtetërore. Kështu nuk shkon më! Sot prodhojmë më pak energji elektrike sesa para 10 vjetësh. Pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm që nuk kemi ecur përpara, por në prodhim kemi shkuar prapa. Tmerr! Marre për mua, për ju dhe për krejt neve që kemi pasur përgjegjësi për këtë shtet”, shkroi Sadiku.

Ndaj këtij postimi reagoi Hoti i cili i komentoi Sadikut duke i thënë se Qeveria Kurti ka anuluar dy projekte madhore energjetike, Termocentralin Kosova e Re dhe projektin e gazit.

“Ermal, Po harron se ky që është në krye të Qeverisë, i ka anuluar dy projekte madhore energjetike: Termocentralin Kosova e Re dhe projektin e gazit. Kosova e Re sot do ishte në funksion duke prodhuar rrymë, ndërkaq projekti i gazit sigurisht se do ishte në përfundim e sipër”, komentoi Hoti.

Reklamë

Sadiku i repiloi Hotit në koment, duke e quajtur edhe kryeministër dhe i thotë se pajtohet me të se përgjegjësinë për situatën e sotme energjetike e mban VV-ja.

“Avdullah Hoti Pajtohem, Kryeministër, se përgjegjësinë kryesore për situatën e sotme energjetike e mban VV-ja. Por edhe ne i kemi fajet tona. Të njëjtën gjë e thonë edhe ata për Bilfinger ose shitjen e KEDS dhe neve.
Unë ndoshta e kam më të lehtë të kritikoj, sepse nuk kam qenë pjesë e politikës në të kaluarën. Ndoshta edhe e kam më të lehtë të gaboj në vlerësimet e mia. Por besoj fuqishëm se e ardhmja energjetike e Kosovës është shumë më e rëndësishme sesa gjetja e fajtorëve për të kaluarën. Përgjegjësia duhet të kërkohet nga të gjithë, por nuk mund ta kalojmë edhe një dekadë duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit. Duhet të ulemi bashkë, të reflektojmë dhe të ndërtojmë një strategji afatgjatë për energjinë e Kosovës”, ka reaguar ai.

Reklamë

Hoti i është kundërpërgjigjur duke e pyetur Sadikun nëse edhe opozita duhet të mbajë përgjegjësi për anulimin e projekteve nga Qeveria aktuale.

“E paskemi edhe ne faj pse ky i ka anuluar projektet, e ka gjashtë vjet që nuk bën asgjë?! Për Bilfinger, ke rënë pre e propagandës së kuqe”, ka shkruar Hoti në përgjigjen e tij.

Sadiku më pas ka kërkuar nga Hoti t’i sqaroi ku është mashtrimi dhe e ka ftuar për drekë.

Reklamë

“Avdullah Hoti Shihemi për drekë gjatë javës. Ma sqaro ku qëndron mashtrimi. Unë e thashë qartë se mund të jem gabim dhe di të kërkoj falje kur gaboj. Por një gjë është e sigurt: përgjegjësisë sime nuk i iki”, ka shkruar ai.

Pas këtij postimi, Hoti nuk i është kundërpërgjigjur dhe nuk dihet nëse do ta pranoj ftesën e Sadikut për drekë për t’u sqaruar. /Reporteri.net/.

 

Reklamë