Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24-orësh, të regjistruara në disa qytete të vendit.
Në Podujevë, më 13 nëntor, rreth orës 19:00, është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të dhunës fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, katër fishekë dhe një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Prishtinë, më 14 nëntor, rreth orës 20:40, është raportuar se një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht ish-bashkëshorten e tij, si dhe i ka lënë tre fëmijët e tyre të mitur në rrugë pa përkujdesje. Gruaja dhe fëmijët janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim të policisë.
Raste të tjera të dhunës në familje janë raportuar edhe në Gjakovë dhe Malishevë.
Në Gjakovë, më 14 nëntor rreth orës 15:00, është arrestuar një i dyshuar për shkak se dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje.
Më 14.11.2026 në Gjakovë, është raportuar se viktima grua, në vazhdimësi ka dhunë psikike dhe fizike nga djali i saj. Viktima ka refuzuar strehimin, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë më 14.11.2026 – 09:00. Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, “pas intervistimit i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.
Si dhe në Malishevë më 13.11.2026 – 21:00. Raportohet se bashkëshorti i viktimës, është duke i shkaktuar dhunë psikike duke e fyer dhe kanosur. I dyshuari është arrestuar, dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.