Një nga legjendat më të mëdha të futbollit botëror, Ronaldinho, është gati të rikthehet në fushën e blertë në një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen e tifozëve në mbarë botën.

Në moshën 46-vjeçare, ish-ylli brazilian pritet të luajë sot për skuadrën italiane Ravenna, në derbin lokal ndaj Forlì-t, në kuadër të Serie C, divizioni i tretë i futbollit Italian me fillim nga ora 17:30.

Bëhet fjalë për rikthimin e tij në futbollin konkurrues pas më shumë se 11 vitesh nga ndeshja e fundit zyrtare, e zhvilluar në vitin 2015 me fanellën e Fluminense. Ronaldinho e kishte njoftuar zyrtarisht pensionimin nga futbolli në vitin 2018.

Reklamë

Sipas raportimeve nga Italia, trajneri i Ravenna-s, Andrea Mandorlini, ka konfirmuar se braziliani do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Megjithatë, minutat që do të qëndrojë në fushë do të vendosen gjatë takimit, në varësi të vlerësimit të stafit teknik.

Ronaldinho iu bashkua projektit të Ravenna-s gjatë verës së vitit 2026, ndërsa është bërë edhe aksionar i klubit. Ideja e rikthimit të tij lidhet me një projekt të veçantë, ku synimi është që legjenda braziliane të zbresë edhe një herë në fushë dhe t’u dhurojë emocione tifozëve.