Aleatët e Jensen Huang kanë nisur një fushatë për ta rikthyer atë në krye të Nvidia-s, pasi dha dorëheqjen javën e kaluar për shkak të një skandali që lidhet me dy marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave dyshohet se përfshin një grua të lidhur me spiunazhin kinez.
Në mbështetje të rikthimit të tij janë rreshtuar edhe emra të njohur të botës së teknologjisë, mes tyre Elon Musk, drejtuesi i SpaceX, dhe Tim Sweeney, themeluesi dhe drejtuesi i Epic Games, kompania që krijoi videolojën Fortnite.
Një peticion online, i publikuar në faqen “Stand with Jensen”, ka mbledhur më shumë se 175 mijë firma. Nënshkruesit i kërkojnë bordit drejtues të Nvidia-s që ta rikthejë Huang në detyrë, të paktën deri në përfundimin e një hetimi të pavarur për skandalin.
Në letër thuhet se largimi i tij është bërë pa një proces të drejtë dhe se bordi duhet të paraqesë prova bindëse nëse beson se ky vendim është në interesin më të mirë të kompanisë.
Huang u largua nga drejtimi i Nvidia-s pas publikimit të pretendimeve për dy marrëdhënie jashtëmartesore. E para lidhet me Alice Huang, një grua e dyshuar për spiunazh në favor të Kinës, ndërsa e dyta, sipas raportimeve, me një drejtuese të kompanisë që ishte në varësi të tij.
Sipas gazetës Financial Times, ish-drejtuesi i Nvidia-s po diskuton me persona të afërt mundësinë e rikthimit në kompani. Ndërkohë, një grup drejtuesish të kompanive të Silicon Valley-t po organizon një fushatë lobimi për të bindur bordin që t’i japë sërish drejtimin e gjigantit të teknologjisë.
Mbështetësit e tij synojnë të sigurojnë edhe përkrahjen e Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, çështja është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të shqetësimeve në Uashington lidhur me eksportin e çipave të avancuar të Nvidia-s dhe mundësinë që disa prej tyre të kenë përfunduar në Kinë, në kundërshtim me kufizimet amerikane.
Presidenti Donald Trump ka folur pozitivisht për Huang, por skandali ka shtuar tensionet mes Departamentit të Thesarit dhe atij të Tregtisë në SHBA. Vetë Huang ka pranuar të dëshmojë përpara Kongresit amerikan lidhur me këtë çështje.
Edhe FBI-ja po heton marrëdhënien mes tij dhe Alice Huang, ndërsa hetimet e brendshme të kompanisë janë ende në zhvillim. Sipas BBC-së, mundësitë që Huang të rikthehet në krye të Nvidia-s mbeten të ulëta për sa kohë këto hetime nuk kanë përfunduar.
Një nga mbështetësit më të zëshëm të tij është Elon Musk, i cili ka paralajmëruar se largimi i Huang mund të rrezikojë marrëveshje të rëndësishme biznesi për Nvidia-n.
Musk tha se shumë prej marrëveshjeve me partnerët e kompanisë ishin ndërtuar mbi besimin personal te Huang dhe jo vetëm mbi kontrata zyrtare. Ai shtoi se ish-drejtuesi i Nvidia-s kishte mbajtur gjithmonë premtimet për furnizimin me kapacitete kompjuterike dhe komponentë teknologjikë.
Edhe aksionarë të rëndësishëm të kompanisë kanë kërkuar që mundësia e rikthimit të tij të mos përjashtohet. Në një letër drejtuar bordit, investitorët Brad Gerstner dhe Gavin Baker kërkuan që të gjitha alternativat të mbeten të hapura, përfshirë rikthimin e Huang.
Për momentin, drejtimin e Nvidia-s e ka marrë drejtoresha financiare Colette Kress, e cila pritet të prezantojë rezultatet financiare të kompanisë të martën. Ndërsa fati i ish-drejtuesit mbetet i paqartë, vendimi përfundimtar do të varet edhe nga rezultatet e hetimeve që po zhvillohen.