Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se pret që Shqipëria të mbyllë edhe 15 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim deri në forumin e ardhshëm të zgjerimit.
Në përfundim të samitit për zgjerimin, Kos tha se gjatë këtij viti pritet të hapen dhe të mbyllen afër 100 kapituj, një zhvillim që, sipas saj, nuk ka ndodhur në 25 vjetët e fundit.
“Me shumë mundësi do të kemi afër 100 kapituj të hapur dhe të mbyllur këtë vit. Nuk ka ndodhur në 25 vitet e fundit. Shqipëria do të mbyllë edhe 15 kapituj të tjerë deri në forumin e ardhshëm të zgjerimit”, deklaroi Kos.
Ajo foli edhe për perspektivën e Malit të Zi, duke shprehur pritjen që brenda një viti të përfundojnë negociatat e anëtarësimit dhe të nënshkruhet traktati i pranimit të këtij shteti në BE.
“Kur të takohemi pas një viti, do të përfundojmë negociatat dhe do të nënshkruajmë traktatin e pranimit me Malin e Zi”, tha ajo.
Kos theksoi se zgjerimi është më shumë sesa një proces teknik i anëtarësimit, duke e cilësuar atë si një zgjedhje për të ardhmen politike të kontinentit evropian.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund ta zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe kjo e ardhme duhet të jetë evropiane. Një e ardhme pa ndarje, ku secili të ndihet si në shtëpi”, u shpreh komisionerja.
Ajo pranoi se zgjerimi nuk është një debat i lehtë politik në shumë shtete anëtare, por vlerësoi se Evropa ndodhet në një moment kur duhet të marrë vendime për rendin e ardhshëm politik në kontinent.
“Në këtë aspekt, zgjerimi është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Na duhen sërish guxim dhe vizion”, përfundoi Kos.