Fillimisht sulmet me dronë ukrainas ndaj magazinave të kompanisë së saj, e tani edhe sanksionet e Bashkimit Evropian. Për Tatyana Kim, gruan më të pasur në Rusi dhe themeluesen e gjigantit të tregtisë online Wildberries, lufta në Ukrainë po sjell pasoja gjithnjë e më të kushtueshme.

Sipërmarrësja 50-vjeçare është përfshirë nga Bashkimi Evropian në listën e personave të sanksionuar ndaj Rusisë, së bashku me biznesmenë të tjerë, banka dhe kompani të sektorit energjetik.

Sanksionet parashikojnë ngrirjen e çdo pasurie që Kim mund të ketë në vendet e BE-së, ndalimin e hyrjes në territorin e Bashkimit Evropian dhe kufizime në transaksionet financiare.

Reklamë

Arsyetimi i autoriteteve evropiane lidhet me rolin që, sipas tyre, kompania Wildberries ka në mbështetjen e ushtrisë ruse.

Platforma, e cila zotëron një pjesë të konsiderueshme të tregut të shitjeve online në Rusi dhe është ndër kompanitë që paguajnë më shumë taksa në vend, dyshohet se shërben edhe si rrjet furnizimi për ushtrinë ruse. Sipas Brukselit, përmes saj tregtohen produkte ushtarake dhe pajisje me përdorim të dyfishtë, pra që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.

Një tjetër element që ka ngritur shqetësime te autoritetet evropiane është partneriteti strategjik i Wildberries me bankën VTB, e cila kontrollohet nga shteti rus dhe është gjithashtu nën sanksione ndërkombëtare.

Akuza të ngjashme kishte ngritur edhe Ukraina, e cila i ka përdorur ato si argument për sulmet me dronë ndaj magazinave të kompanisë, të nisura në korrik. Kievi pretendon se përmes platformës shpërndahen edhe pjesë për dronë dhe pajisje të tjera që përdoren nga forcat ruse.

Nga një apartament në majën e tregtisë online

Reklamë

Tatyana Kim, ish-mësuese e gjuhës angleze me origjinë koreane, e themeloi Wildberries në vitin 2004, gjatë lejes së lindjes.

Ajo e nisi biznesin nga apartamenti i saj dhe, me kalimin e viteve, arriti ta shndërronte në një prej kompanive më të mëdha të tregtisë elektronike në Rusi. Platforma shpesh krahasohet me gjigantin amerikan Amazon.

Megjithatë, rrugëtimi i saj drejt suksesit nuk ka kaluar pa përplasje. Ndarja e bujshme nga bashkëshorti përfundoi në vitin 2024 me një incident të rëndë me armë zjarri në selinë e kompanisë, ku humbën jetën dy persona.

Grupi RWB, i krijuar përmes bashkimit të Wildberries me kompaninë e reklamave Russ Outdoor, ka deklaruar se sanksionet e BE-së nuk do të ndikojnë në aktivitetin e tij, me arsyetimin se kompania nuk zotëron pasuri dhe nuk ushtron veprimtari në territorin e Bashkimit Evropian.

Reklamë

Megjithatë, për Kim, pasuria e së cilës vlerësohet nga revista Forbes në rreth pesë miliardë dollarë, sanksionet evropiane përbëjnë një tjetër goditje, pas sulmeve ukrainase ndaj magazinave të kompanisë.