Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë serinë e identifikuar të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
Në komunikatën e publikuar sot, IKSHPK ka rikujtuar se bëhet fjalë për qumështin VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe afat përdorimi deri më 18.01.2027.
“Sipas rezultateve të publikuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, analizat laboratorike të kryera në Austri kanë konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 0.050 µg/kg”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Instituti ka paralajmëruar edhe për rrezikun që mund të paraqesë kjo substancë për shëndetin.
“Aflatoksina M1 është substancë toksike dhe ekspozimi i vazhdueshëm e afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin, veçanërisht për shkak të efekteve të mundshme në mëlçi”, thuhet në njoftim.
AUV zbuloi tejkalime edhe në produkte të tjera të prodhuesit
Ndërkohë, sipas komunikatës së AUV-së, rezultati i analizave të kryera në Austri është në përputhje me testimet e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, i cili kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.
Agjencia ka bërë të ditur se ky rast vjen pas rezultateve laboratorike në Maqedoninë e Veriut, ku dy analiza të produktit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga e njëjta kompani, ABRAZEN SH.P.K., kishin evidentuar përqendrime të aflatoksinës M1 prej 0.100 dhe 0.139 ± 0.022 µg/kg.
AUV ka sqaruar se masa e tërheqjes nga tregu zbatohet vetëm për serinë e identifikuar të qumështit VITA, ndërsa seritë dhe produktet e tjera të prodhuesit nuk janë pjesë e kësaj mase.
“Agjencia do të verifikojë zbatimin e plotë të masës së tërheqjes dhe do të zgjerojë kontrollet në seri të tjera të prodhimit, duke përfshirë qumështin e papërpunuar, gjurmueshmërinë e furnizimit, sistemin e vetëkontrollit të operatorit dhe ushqimin e kafshëve, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit”, thuhet në komunikatën e AUV-së.
Pas vendimit për tërheqjen e serisë së qumështit nga tregu, ka reaguar edhe kompania VITA, e cila ka ngritur dyshime për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje.
“Prandaj, mënyra se si po zhvillohet kjo situatë ngre dyshime serioze për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme kundër kompanisë sonë.
I bëjmë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t’i shqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.
VITA kërkon transparencë të plotë, qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar”, thuhet në reagimin e kompanisë.