Një shqiptar 64-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm në Itali, pasi është përplasur nga një automjet teksa ishte duke punuar në një kantier në autostradën A18, në aksin Messina-Catania.

Viktima është identifikuar si Mehmeti Hashaim, me origjinë shqiptare, banues në Marcianise, në provincën e Caserta-s, shkruan Ansa.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas orës 09:00, në kilometrin 43.300 të autostradës, në drejtim të Catanias, pranë zonës së Taorminës dhe viaduktit Alcantara. Sipas raportimeve të mediave italiane, 64-vjeçari ishte duke punuar në kantierin e vendosur në autostradë, ku po kryheshin punime mirëmbajtjeje, kur një automjet ka hyrë në zonën e punimeve dhe e ka përplasur fuqishëm.

Reklamë

Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes dyshohet se drejtuesja e makinës mund të ketë humbur kontrollin e automjetit pas një manovre të rrezikshme të kryer nga një tjetër shofer.

Gruaja është ndalur menjëherë pas përplasjes për t’i dhënë ndihmë punëtorit, por për shqiptarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Drejtuesja e automjetit, e tronditur nga ngjarja, ka pësuar edhe një gjendje të fikëti dhe është transportuar në spitalin e Giarres.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore dhe ekipet e emergjencës, të cilat po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Për shkak të aksidentit tragjik, qarkullimi në autostradën A18 drejt Catanias është ndërprerë, ndërsa autoritetet kanë vendosur devijimin e automjeteve përmes Giardini Naxos dhe rrugës shtetërore SS114.

Policia italiane vijon hetimet për të përcaktuar me saktësi dinamikën dhe përgjegjësitë për aksidentin që i mori jetën punëtorit shqiptar.