Jensen Huang ka reaguar për herë të parë pas dorëheqjes nga drejtimi i kompanisë Nvidia, duke deklaruar se është i gatshëm të rikthehet në krye të saj.

Në një deklaratë të shkurtër për “Wall Street Journal”, themeluesi dhe ish-drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, e njohur për prodhimin e çipave që përdoren në zhvillimin e inteligjencës artificiale, tha se që prej largimit ka marrë shumë kërkesa nga punonjës, investitorë, partnerë dhe klientë për t’u rikthyer në detyrë.

“Nëse bordi drejtues do të vlerësonte se rikthimi im do të ishte në interesin më të mirë të aksionerëve, punonjësve, kompanisë dhe Amerikës, do të ishte nder për mua t’u përgjigjesha këtyre kërkesave dhe të rikthehesha si CEO”, u shpreh Huang.

Reklamë

Kjo është deklarata e tij e parë që prej dorëheqjes të enjten e kaluar, pas publikimit të lajmeve për marrëdhëniet e tij jashtëmartesore, mes të cilave një lidhje e dyshuar me një agjente kineze dhe një tjetër me një punonjëse të kompanisë.

Këto zbulime, të publikuara nga disa media ndërkombëtare, përfshirë “New York Times”, “Wall Street Journal” dhe “Financial Times”, kanë nxitur bordin drejtues të Nvidia-s të njoftojë krijimin e një komiteti të posaçëm. Ky komitet do të mbikëqyrë politikat e sigurisë kombëtare të kompanisë dhe zbatimin e rregullave për kontrollin e eksporteve.

Gjatë orëve të fundit, mijëra punonjës të Nvidia-s, investitorë të rëndësishëm dhe miliarderë të teknologjisë, mes tyre Elon Musk, si dhe presidenti amerikan Donald Trump, kanë shprehur qëndrimet e tyre për të ardhmen e Huang.

Megjithatë, sipas burimeve të “Wall Street Journal”, bordi drejtues i Nvidia-s nuk duket se është i gatshëm të shqyrtojë rikthimin e tij në detyrë.

Huang ka kërkuar sërish falje për veprimet e tij, të cilat i cilësoi si gabime, duke pranuar se nuk ka përmbushur standardet që priten nga drejtuesit e kompanisë.

Reklamë

“Kam krijuar probleme për bordin dhe pendohem thellësisht për këtë. Për gabimet e mia mbaj përgjegjësi vetëm unë”, u shpreh ai.