Disa nga uebfaqet më të vizituara në botë, përfshirë ato të Zoom-it, HSBC-së, Equifax-it, CNN-it, Salesforce-it dhe IKEA-s, u komprometuan në një përpjekje për të vjedhur kriptovaluta dhe për të infektuar iPhone-ët, tha të hënën një studiues i sigurisë kibernetike, shkruan NY Post.

Kodi keqdashës JavaScript u drejtohej vizitorëve të uebfaqeve të 178 organizatave në sektorë të ndryshëm, përmes Optimizely-t, një platformë për optimizimin e uebfaqeve, sipas studiuesit Scott Helme.

Skriptet tentuan të zëvendësonin adresat e pagesave me kriptovaluta me portofolin e sulmuesit, të përgjonin numrat e kartelave teksa përdoruesit i shkruanin të dhënat e kartelave të kreditit, të vidhnin skedarët e identifikimit (cookies) dhe pamjet e ekranit, si dhe të instalonin kod shfrytëzues në pajisjet me sistemin operativ iOS.
Helme shkroi për rrezikun e sulmit, duke pretenduar se hakerët kishin mundësi të bënin pothuajse gjithçka që dëshironin. “Të vetmet gjëra që i pengojnë janë imagjinata e tyre dhe aftësia për të shkruar kodin [JavaScript] që të bëjnë atë që duan”, shkroi Helme, i cili gjithashtu trajnon njerëz për aftësitë e mbrojtjes nga hakerët. “Sulmuesit thjesht zgjodhën të mos e bënin këtë”.

Reklamë

Transaksionet e verifikuara të sulmuesve tregojnë se janë vjedhur disa kriptovaluta, sipas blogut kërkimor të Helmes.

“Pjesa më e madhe e kodit keqdashës tashmë është hequr”, shkroi Helme.

Kompania e sigurisë kibernetike Hudson Rock gjithashtu tha se kishte gjetur prova se uebfaqet u kishin shpërndarë vizitorëve të tyre kod keqdashës.

Reuters nuk mundi të përcaktonte menjëherë nëse kodi ishte përdorur me sukses në secilin rast, apo shkallën e ndonjë sulmi kibernetik që mund të ketë pasuar.

Salesforce tha se po hetonte ndryshimet e paautorizuara në skriptet e Optimizely-t dhe se i kishte çaktivizuar ato si masë paraprake.

Reklamë

Equifax gjithashtu e shqyrtoi këtë çështje. Ajo ndërpreu përdorimin e Optimizely-t dhe nuk gjeti prova se sistemet e saj ishin komprometuar.

IKEA tha se po përpiqej të përcaktonte nëse kishte ndonjë ndikim të mundshëm në shërbimet e saj digjitale dhe te klientët.

Optimizely, Apple, Zoom, HSBC dhe CNN nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të Reutersit për koment.