Pavarësisht investimit prej rreth 200 mijë eurosh për renovimin e bodrumit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në këtë hapësirë ka filluar të depërtojë ujë, duke rrezikuar funksionimin e ashensorëve të ndërtesës.
Për shkak të rrezikut që uji të bie në kontakt me instalimet elektrike, nga mirëmbajtja teknike e ministrisë është kërkuar ndërprerja e funksionimit të ashensorëve.
Këtë e dëshmon një komunikim i brendshëm i siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, në të cilin drejtori i Departamentit për Shërbime të Përgjithshme në MPJD, Ragip Zejnullahu, njofton zyrtarët për situatën dhe kërkon që vartësit e tyre të informohen për ndërprerjen e ashensorëve.
“Meqenëse ka filluar të depërtojë ujë në bodrum duke rrezikuar funksionimin e ashensorëve (në rast kontakti uji me rrymën), nga mirëmbajtja teknike e MDAP kemi kërkuar ndërprerjen e punës së tyre. Kërkoj mirëkuptimin tuaj që t’i njoftoni vartësit”, thuhet në komunikimin e nënshkruar nga Zejnullahu.
Tenderi prej 194 mijë e 575 eurosh
Në korrik të vitit 2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte dhënë tender në vlerë prej 194 mijë e 575 eurosh për “Renovimin dhe riorganizimin e bodrumit”.
Sipas të dhënave të publikuara në dosjen e tenderit, kontrata i ishte dhënë operatorit ekonomik LURN, ndërsa në procedurë kishin marrë pjesë dy operatorë.
Projekti parashihte ndryshime të konsiderueshme në këtë pjesë të objektit, përfshirë renovimin e hapësirave, vendosjen e orendive të reja, instalimin e sistemit të videombikëqyrjes dhe punime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Në dosjen e tenderit ishte paraparë edhe vendosja e kamerave në pika strategjike, me qëllim të mbikëqyrjes së vazhdueshme të objektit.
“ Sistemi i video mbikëqyrjes është planifikuar të instalohet në vendet strategjike ku edhe kërkohet mbikëqyrje e pandërprere, dhe përbën një sistem unik për sigurimin e objektit. Sistemi i video mbikëqyrjes do të bazohet në kamera fikse me standard të lartë kualitativ për përdorim të jashtëm. Sistemi i video mbikëqyrjes do të jetë IP”, thuhej në specifikimet e projektit.
Investimi përfshinte edhe punime në banjo, si dhe instalimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, për të cilin në dosjen e tenderit thuhej se ishte hartuar në bazë të standardeve dhe ligjeve në fuqi.
Megjithatë, tani, më shumë se dy vjet pas dhënies së kontratës, komunikimi i brendshëm i siguruar nga Reporteri.net dëshmon se në bodrum ka nisur të depërtojë ujë, aq sa është kërkuar ndërprerja e ashensorëve për arsye sigurie.
Dokumenti nuk e specifikon shkakun e depërtimit të ujit dhe as nëse problemi lidhet me punimet e realizuara gjatë renovimit. Por, gjendja aktuale ngre pikëpyetje për efektivitetin e investimit prej afro 200 mijë eurosh.
Renovimi ishte realizuar gjatë kohës kur në krye të MPJD-së ishte Donika Gërvalla. /Reporteri.net

