Qytetarë kanë filluar të mblidhen pranë shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas kthimit të tij sot nga Haga, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Krasniqi ka ardhur në Kosovë për një vizitë familjare.
Në mesin e tyre e qytetarëve është edhe Çlirim Haziri, nga iniciativa qytetare “Jo në emrin tim”, i cili tha se kanë shkuar në grup për ta parë dhe takuar Krasniqin, nëse u lejohet.
Ai theksoi se emocionet që po përjeton familja e Krasniqit për vizitën e tij në Kosovë janë të njëjta edhe për ta.
“Qysh është emocion për familjen e tij, është edhe për neve. Erdhëm këtu me një grup për ta parë bacën Jakup, nëse na lejohet”, u shpreh Haziri.
“Ne do ta presim bacin Jakup”, shtoi ai.
Sipas raportimeve, arsyeja e ardhjes së Krasniqit në Kosovë lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij, dhe ai pritet të qëndrojë aty deri në orën 17:00.
Kjo është hera e dytë që Krasniqi kthehet në Kosovë që nga transferimi i tij në Hagë.
Më parë, ai kishte ardhur në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.
Krasniqi ndodhet në Hagë në kuadër të procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.