Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka mohuar se emaili i dërguar ndaj studentëve të Fakultetit të Mjekësisë përmban gjuhë kërcënuese, duke thënë se bëhet fjalë për respektimin e obligimeve statutare dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Këto deklarata ai i bëri pas protestës së organizuar nga Parlamenti Studentor para Rektoratit, ku studentët kundërshtuan përmbajtjen e emailit të tij, të cilin e cilësuan si kërcënues.

Hajrullahu tha se është i gatshëm të tërhiqet dhe të kërkojë falje nëse konstatohet se në komunikimin e tij ka pasur gjuhë kërcënuese, por këmbënguli se sipas vlerësimit të tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Reklamë

“Duhet të bëjmë një analizë të tekstit, se a ka këtu gjuhë kërcënuese, nëse ka, atëherë ka ndodhur keqkuptimi për të cilin do të isha i gatshëm të tërhiqem dhe të kërkoj falje. Mirëpo, sipas leximit tim që jam edhe autor i këtij njoftimi të personelit akademik lidhur me mbarëvajtjen e mësimit, do ta bëjmë me një njoftim si dhe obligimet statutare, si për rektorin, profesorët ashtu edhe për studentë”, tha ai.

Rektori theksoi se nuk sheh arsye për të kërkuar falje për diçka që, sipas tij, nuk ekziston.

Ai foli edhe për vështirësitë në Fakultetin e Mjekësisë, duke theksuar se çështja kryesore lidhet me evidentimin e vijueshmërisë së mësimit.

“Meqenëse nuk ka kërcënim, nuk ka edhe subjekt për ndonjë kërkim falje eventuale për diçka që nuk ekziston.. Në mënyrë të vazhdueshme ka nga disa individë të cilët janë të pakët në numër, dhe tentim të krijimeve të situatave lidhur me fakultetin e mjekësisë. Në këtë fakultet ka vështirësi më të mëdha sesa në njësi të tjera akademike. Çështja është tek evidentimi i mësimit. Në 13 njësi akademike është mirëpritur një avancim teknologjik nga para shumë vitesh evidentimi i bartjes së mësimit dhe prezencës së studentëve përmes listave fizike, në kartela me disa aparate te hyrja në klasë, te kalimi edhe në një formë plotësuese përmes QR që të ndodhë edhe në mënyrë digjitale, cilëndo formë që ndodh evidentimi është në rregull”, tha ai.

Hajrullahu ngriti gjithashtu dyshime se prapa pakënaqësive të shprehura mund të qëndrojnë edhe ndikime politike, duke pretenduar se disa individëve nuk po u përshtatet mënyra e qeverisjes së universitetit.

Reklamë

Pavarësisht kundërshtimeve, Hajrullahu u shpreh i hapur për dialog me studentët dhe për përmirësimin e lëshimeve eventuale teknike.

“Siç duket disa individë vërtet nuk janë duke u ndje rehat me këtë mirëqeverisje, mbase edhe mund të ndihen edhe të kërcënuar. Rektori nuk e kërcënon askënd… këto janë faktikisht deri në një masë sipas të gjitha gjasave të dirigjuara edhe nga forca të ndryshme politike, që siç duket me këtë mirë qeverisje në universitet kanë një problem, mbase interesat individuale dhe grupore të ndryshme edhe mund të ndihen të kërcënuara dhe kjo do të ndodhë në vazhdimësi për të gjithë ata që do të veprojnë jo në konform të statutit por në formë të rregullores së UP-së. Dera është e hapur, dialogimi është madhështia për t’u përmirësuar në qoftë se ka ndonjë lëshim teknik”, tha ai.

Ai u bëri thirrje edhe Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë që t’i kushtojnë vëmendje situatës dhe të mos e anashkalojnë Universitetin e Prishtinës.

Studentët e Universitetit të Prishtinës, të mbledhur në protestë para Rektoratit më 19 nëntor 2026, po kundërshtojnë një email të dërguar nga rektori Arben Hajrullahu pas bojkotit të mësimit në Fakultetin e Mjekësisë lidhur me evidentimin përmes QR Code.

Reklamë

Rektori Arben Hajrullahu paralajmëroi në email se studentët bojkotues në Fakultetin e Mjekësisë rrezikojnë përsëritje të vitit të studimit apo edhe humbje të statusit të studentit, ndërsa për stafin akademik që nuk mban mësim për shkak të bojkotit paralajmëroi masa deri në shkëputje të kontratës.

Parlamenti Studentor dhe përfaqësuesit e studentëve e cilësuan emailin si kërcënim dhe tejkalim të komunikimit institucional.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Flon Kastrati, ka thënë se dialogu me rektorin nuk mund të zhvillohet pa tërheqjen e fjalëve dhe kërkimfaljen e tij.