Seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën ishte paraparë të shqyrtohej Ligji për Dhomat e Specializuara, është shtyrë sërish deri në një njoftim të ardhshëm.
Lajmin për shtyrjen e seancës e bëri të ditur nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili kërkoi falje për vonesën e fillimit të seancës dhe bëri të ditur se vendimi është marrë pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit politikë.
“Ju kërkojmë falje për këtë vonesë. Nga konsultimet e ngjeshura që patëm me shefat e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit politikë, konsideruam se seanca e thirrur me tri pika për vazhdim sot, në orën 10:00, të shtyhet deri në njoftimin e ardhshëm”, deklaroi Gola.
Ende nuk është bërë e ditur se kur do të mbahet seanca e radhës dhe kur do të shqyrtohet Ligji për Dhomat e Specializuara.