Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si “mashtrim të madh për qytetarët” iniciativën ligjore për ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo nuk prodhon asnjë efekt juridik, por i shkakton dëme Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Osmani në KTV ka deklaruar se përmes kësaj iniciative janë keqpërdorur ndjenjat e qytetarëve, të cilët, sipas saj, ishin të shqetësuar për të vërtetën historike të Kosovës dhe narrativat e Serbisë.

“Më duhet të them me keqardhje jashtëzakonisht të madhe që ky ligj, vetë iniciativa për këtë ligj, i cili në esencë kishte për qëllim ta ndryshonte mandatin e Gjykatës Speciale, në vetvete është mashtrim i madh për qytetarët”, ka deklaruar Osmani.

Reklamë

Ajo ka theksuar se iniciativa nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës, të cilat, sipas saj, burojnë nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2014.

Osmani ka thënë se këto obligime nuk mund të ndryshohen vetëm përmes një vendimi të Kuvendit dhe se për çdo ndryshim të mandatit kërkohet konsultim me Bashkimin Evropian.

“Lëre që s’është në përputhje me Kushtetutën dhe me obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka marrë në vitin 2014, por në të njëjtën kohë i krijon një dëm jashtëzakonisht të madh Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa efektin juridik e ka zero”, është shprehur Osmani.