Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Çlirim Gërbeshi, ka bërë publikë emrat e gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët, sipas tij, janë intervistuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në një postim në Facebook, Gërbeshi ka thënë se ndaj tyre është ngritur edhe kallëzim penal.
Sipas listës së publikuar nga ai, zyrtarët janë: Bekim Brestovci, drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit; Menduh Halili, shef i Sektorit të Ndërtimit; si dhe inspektorët Blerim Thaçi, Veton Demolli, Lorik Zhubi dhe Mergim Shala.
Gërbeshi ka drejtuar akuza ndaj qeverisjes së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e lidhur rastin me mënyrën e qeverisjes në kryeqytet.
“Kjo është qeverisja e Përparim Ramës: qeverisja e keqpërdorimit dhe e abuzimit. Kjo është qeverisja e krimit!”, ka shkruar Gërbeshi.