Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove, rreth 200 milionë euro më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026.

Gjatë prezantimit të tij, Kurti ka paralajmëruar rritje të pagave për punonjësit publikë, dyfishim gradual të shtesave për fëmijë, më shumë investime kapitale dhe mbështetje shtesë për sektorin e shëndetësisë.

“Buxheti i projektuar për vitin 2027 arrin në 4.27 miliardë euro. Kjo është rreth 200 milionë euro më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026”, tha Kurti.

Reklamë

Sa u përket pagave, kryeministri bëri të ditur se është paraparë pagesa e pagës së 13-të, ndërsa nga 1 korriku i vitit 2027 koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro.

“Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do të përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit, që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit”, deklaroi ai.

Kurti tha se buxheti për paga arrin në 1 miliard e 85 milionë euro dhe se ky financim, i shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publikë, reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh.

Një tjetër masë e prezantuar është rritja graduale e shtesave për fëmijë, në katër faza nga 25 për qind, duke nisur nga 1 janari i vitit 2027 dhe deri në vitin 2030.

“Një tjetër zotim që po e përkthejmë në masa konkrete buxhetore është dyfishimi i shtesave për fëmijët gjatë këtij mandati”, tha Kurti.

Reklamë

Ai konkretizoi se një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari i vitit të ardhshëm do të përfitojë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë, nga 180 euro sa merr aktualisht, do të përfitojë 225 euro.

Në sektorin e shëndetësisë, Kurti tha se janë përgjysmuar shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, ndërsa mjetet e kursyera do të orientohen për financimin e barnave esenciale për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Kemi paraparë edhe shtimin e 120 profesionistëve shëndetësorë në SHSKUK, ndërsa në nivelin lokal janë planifikuar investime të konsiderueshme në ndërtimin e Qendrave të reja dhe moderne të Mjekësisë Familjare”, deklaroi kryeministri.

Sa u përket investimeve kapitale, Kurti tha se për herë të parë do të ndahen mbi 1 miliard euro për këtë kategori.

Reklamë

Në mesin e projekteve të përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë, Autoudha e Dukagjinit, si dhe projekte të tjera rrugore, ndërtimi i digave të reja dhe krijimi i një sistemi për grumbullimin dhe sortimin e mbeturinave.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se në buxhet është paraparë nisma për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore.

“Kjo nismë synon të kontribuojë në zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës, në krijimin e më shumë mundësive për udhëtim për bashkatdhetarët tanë dhe në promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare”, tha ai.

Në fushën e turizmit, Kurti përmendi investimet për zhvillimin e resorteve turistike në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në Bjeshkët e Nemuna.

Reklamë

Buxheti parasheh gjithashtu 908 milionë euro për financimin e komunave, ndërsa Kurti bëri të ditur se është planifikuar edhe rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke përmbyllur prezantimin, Kurti tha se buxheti synon ta kalojë Kosovën nga faza e rritjes ekonomike në një fazë të re të transformimit ekonomik.

“Ky është pra drejtimi ynë: financa publike të qëndrueshme, ekonomi në rritje dhe investime që ndërtojnë të ardhmen e vendit, gjithnjë në shërbim të qytetarëve, për një Kosovë më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për të gjithë”, përfundoi Kurti.