Ekspertët e quajnë këtë përparimin më të madh në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekada. Bëhet fjalë për një pilulë ditore, daraxonrasib, e cila duket se i zvogëlon, e ndonjëherë mbase edhe i eliminon tumoret te disa pacientë.
Në provat e hershme, ilaçi iu dha së bashku me kimioterapinë 61 pacientëve me kancer të përparuar të pankreasit, të diagnostikuar së fundmi dhe të përhapur në pjesë të tjera të trupit. Rezultatet e raportuara nga BBC:
Tumoret ndaluan së rrituri te 90% e pacientëve;
Te pak mbi 60% tumoret u zvogëluan ose u zhdukën;
Te rreth 8% e pacientëve, pra një në 12, kanceri u bë i padukshëm në skanimet CT.
Mjekët theksojnë se nuk dihet ende sa gjatë mund ta mbajë sëmundjen nën kontroll ilaçi dhe se nuk duhet parë si shërim. Pacientët u ndoqën mesatarisht një vit e gjysmë dhe disa nuk e patën rikthimin e kancerit gjatë kësaj kohe. Nevojiten studime më të gjata.
Kanceri i pankreasit njihet si shumë i vështirë për t’u trajtuar dhe ka shkallën më të ulët të mbijetesës mes kancerëve të zakonshëm në Britani. Shumica e pacientëve me sëmundje të përparuar mbijetojnë muaj, jo vite. Cancer Research UK e quajti rezultatin “kërcimin më të madh përpara në dekada”. Dr. Sam Godfrey i organizatës tha se ilaçi ka gjetur mënyrë për të trajtuar “të patrajtueshmen”.
Dr. Wungki Park nga Memorial Sloan Kettering, i përfshirë në provë, tha se po shihen përgjigje më të thella dhe një kohëzgjatje pothuajse dyfish më të gjatë të kontrollit të sëmundjes, që mund të çojë në mbijetesë më të gjatë.
Daraxonrasib është frenues i KRAS, i miratuar tashmë në SH.B.A. Ai bllokon mutacionet RAS, që nxisin rritjen e tumoreve në shumicën e kancerëve të pankreasit. Mutacione të ngjashme has edhe në kancere të tjera, si ai i mushkërive dhe i vezoreve, prandaj ilaçi mund të ndihmojë edhe pacientë të tjerë.
Sipas Cancer Research UK, në Britani diagnostikohen çdo vit rreth 11.500 raste dhe ndodhin rreth 10.200 vdekje.