Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se aeroplani i parë luftarak pa pilot i Turqisë, Bayraktar Kızılelma, i është shtuar inventarit të Forcave të Armatosura Turke, pas përfundimit me sukses të testeve të pranimit.

Erdogan e cilësoi këtë zhvillim si një ditë historike dhe rezultat të viteve të tëra pune e përpjekjesh.

Ai shprehu besimin se pajisja e ushtrisë me këtë aeroplan do të kontribuojë në arritjet e mëtejshme të saj.

Reklamë

“Unë besoj se ushtria jonë e lavdishme do të shkojë nga fitorja në fitore me Bayraktar Kızılelma dhe uroj që ky zhvillim krenar të jetë i mbarë dhe i suksesshëm”, deklaroi lideri turk.

Në njoftimin e kompanisë Baykar bëhet e ditur se Kızılelma është një projekt kombëtar, i zhvilluar tërësisht me burimet dhe teknologjinë e vetë kompanisë.

Pas përfundimit me sukses të testeve të pranimit, aeroplani ka kaluar një tjetër fazë të rëndësishme drejt përdorimit nga Forcat e Armatosura Turke.

Zhvillimi i projektit nisi në vitin 2021, kur më 20 korrik u prezantuan për herë të parë pamjet e projektimit konceptual të aeroplanit.

Më 12 mars 2022 ai hyri në linjën e prodhimit, ndërsa fluturimin e parë e realizoi me sukses më 14 dhjetor të po atij viti, duke tejkaluar edhe objektivin e kompanisë për vitin 2023.

Reklamë

Më 24 prill 2023, Kızılelma realizoi një fluturim të përbashkët pranë aeroplanit pa pilot AKINCI.

Gjithashtu, gjatë panairit TEKNOFEST në Stamboll, nga 27 prilli deri më 1 maj 2023, ai demonstroi aftësitë e tij në fluturime pranë aeroplanëve luftarakë të pilotuar SOLOTÜRK dhe Turkish Stars. /Telegrafi