Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, përmes të cilit synohet forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimi ndërkombëtar i dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Memorandumi u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit, Atdhe Hetemi.
Sipas njoftimit të MPJD-së, përmes këtij bashkëpunimi do të bashkërendohen angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve që dokumentojnë krimet e luftës.
Në këtë drejtim, rrjeti diplomatik dhe konsullor i Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione relevante ndërkombëtare.
MPJD-ja e ka cilësuar këtë memorandum si një hap të rëndësishëm në forcimin e diplomacisë publike dhe në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës.
“Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e diplomacisë publike të institucioneve tona në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës”, thuhet në njoftim.
Tutje, Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar që e vërteta historike për luftën çlirimtare dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë të njihet sa më gjerësisht në arenën ndërkombëtare.
“E vërteta historike për luftën çlirimtare të popullit tonë dhe për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë të njihet sa më gjerësisht ndërkombëtarisht”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.