Mjafton që personi që dashuroni të hyjë në dhomë dhe diçka ndryshon. Ndoshta ndiheni më të qetë, ju largohet tensioni apo ju rikthehet humori i mirë. Por reagimi nuk ndalet tek emocionet. Edhe trupi juaj përfshihet në këtë ndryshim, dhe shkenca ka disa shpjegime interesante për këtë.
Të kaloni kohë pranë dikujt që ju bën të ndiheni të sigurt dhe të vlerësuar mund të ndikojë në reagimin ndaj stresit, në aktivitetin e trurit dhe madje edhe në funksionimin e sistemit imunitar.
Ja katër ndryshime që mund të ndodhin në trup kur jeni pranë njeriut që dashuroni.
1. Trupi ul reagimin ndaj stresit
Një përqafim nga personi i duhur mund të ketë më shumë ndikim sesa mendoni. Kur ndiheni të sigurt pranë partnerit, trupi mund të relaksohet dhe reagimi ndaj stresit të bëhet më i moderuar.
Një studim i vitit 2022, i publikuar në revistën shkencore “PLOS ONE”, zbuloi se gratë që përqafonin partnerët e tyre përpara një situate stresuese kishin një rritje më të vogël të kortizolit, hormonit që luan rol të rëndësishëm në reagimin e organizmit ndaj stresit.
2. Truri aktivizon mekanizmat e kënaqësisë
Ajo ndjesia e veçantë që përjetoni kur shihni personin që dashuroni nuk është thjesht romantike. Ajo lidhet edhe me aktivitetin e trurit.
Në këto momente përfshihet dopamina, një neurotransmetues i lidhur me kënaqësinë dhe motivimin. Ndërkohë, oksitocina, e njohur si hormoni i dashurisë, lidhet me afërsinë emocionale dhe krijimin e lidhjeve mes njerëzve.
Përqafimet, përkëdheljet dhe mbajtja e duarve mund të nxisin çlirimin e oksitocinës, duke përforcuar ndjenjën e afërsisë me partnerin.
3. Organizmi mund ta ruajë më lehtë ekuilibrin
Afërsia me një person të dashur mund të ndikojë edhe në mënyrën se si trupi menaxhon funksionet e tij të brendshme.
Një studim i vitit 2026, i publikuar në revistën “Science Advances”, sugjeron se prania e një personi të afërt mund të lidhet me më pak çrregullime fiziologjike dhe rikuperim më të shpejtë pas një dëmtimi.
Kjo tregon se mbështetja emocionale mund të ketë një ndikim që shkon përtej humorit dhe mirëqenies psikologjike.
4. Mund të keni mbrojtje më të mirë ndaj sëmundjeve
Një marrëdhënie ku ndiheni të mbështetur mund të ndikojë edhe në sistemin imunitar. Arsyeja lidhet pjesërisht me stresin: kur ai bëhet kronik, mund të ndikojë negativisht në funksionimin e mbrojtjes imunitare dhe të nxisë procese inflamatore.
Një studim i vitit 2016, i publikuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, zbuloi se njerëzit me rrjete më të gjera lidhjesh shoqërore kishin më shumë gjasa t’u rezistonin infeksioneve të zakonshme të rrugëve të frymëmarrjes, përfshirë ftohjen.
Kjo nuk do të thotë se dashuria ju mbron nga çdo sëmundje, por marrëdhëniet e shëndetshme mund të jenë një pjesë e rëndësishme e mirëqenies suaj.