Zjarri që për herë të dytë ka përfshirë deponinë e mbeturinave në fshatin Sverkë të Pejës ka përplasur sërish deputetët e LDK-së, Arben Gashi dhe Hykmete Bajramin me ministren e Mjedisit, Fitore Pacolli, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në seancën plenare të së enjtes ngriti shqetësimin e tij lidhur me situatën e rëndë mjedisore të krijuar si pasojë e djegies së deponisë rajonale të mbeturinave në qytetin e Pejës prej 10 ditësh duke kërkuar ndërhyrje emergjente nga institucionet qeveritare.
Gashi bëri të ditur se tymi i dendur na djegia e mbeturinave urbane ka mbuluar një zonë të gjerë duke përfshirë zonën e Sverkës, Leshanit, Dresnikut, Lutogllavës, Nabergjanit, Ruhotit, ku jetojnë rreth 20 mijë banorë.
Sipas tij gjendja është rënduar edhe më shumë nga kushtet e pafavorshme atmosferike – mjegulla, shiu dhe presioni i ulët i ajrit të cilat po e mbajnë tymin toksik pranë tokës.
Deputeti theksoi se nevojitet ndërhyrje urgjente maksimale nga Ministria përkatëse duke paralajmëruar se kjo ndotje e ajrit po rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve, ‘kjo çështje është bërë burim kanceri për banorët e kësaj treve‘, tha Gashi.
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, poashtu në seancën plenare të së esnjtes tha se shqetësimi për gjendjen në deponi është i drejtë, por theksoi se përgjegjësia kryesore për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e saj i takon Komunës së Pejës.
“Shqetësimi është plotësisht e drejtë. Është e domosdoshme të sqarohen kompetencat ligjore dhe përgjegjësia institucionale. Deponia është nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të komunës së Pejës dhe për aq kohë që kjo deponi mbetet nën administrimin komunal përgjegjësia primare për mirëmbajtje, keqmenaxhimin bien mbi komunën e Pejës. As ministria as kompania nuk kanë kompetenca. Jemi në kontakt me kompaninë”, tha ajo.
Ndaj deklarate së Pacollit reagoi deputeti Gashi, i cili tha se në këtë situatë nuk ka rëndësi se cili institucion është përgjegjës për deponinë, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Ai kërkoi ndërhyrje urgjente dhe ndarjen e një fondi emergjent për ndaljen e zjarrit, duke theksuar se përgjegjësia për gjendjen e krijuar mund të trajtohet më vonë nga organet e drejtësisë.
Pacolli u kundërpërgjigj sërish Gashit, ku i tha se gjendja aktuale është pasojë e keqmenaxhimit shumëvjeçar dhe se problemet e grumbulluara ndër vite nuk mund të zgjidhen brenda një periudhe të shkurtër.
Ajo kritikoi Gashin se nuk e kishte ngritur më herët këtë shqetësim, ndërsa përgjegjësinë për situatën ia atribuoi udhëheqjes komunale të Pejës.
Shqetësimin për gjendjen e deponisë në Pejë e ka ngritur edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kritikuar institucionet për neglizhencë ndaj banorëve të kësaj zone.
“Për herë të dytë po digjet deponia në Sferkëtë Pejës – ku është shteti”, ka shprehur shqetësimin Bajrami.
Bajrami tutje ka thënë se situata ka detyruar banorët t’i mbajnë dyert dhe dritaret e mbyllura, për shkak të tymit që po përhapet nga deponia.
“Ka disa ditë që deponia regjionale e mbeturinave në Sferkë të Pejës po digjet. Banorët e Sferkës, Llutogllavës, Trestenikut, Ruhotit, Nabërgjanit dhe fshatrave përreth po ngulfaten nga tymi, i cili po përhapet edhe më larg.
Njerëzit po detyrohen t’i mbajnë dyert e dritaret mbyllur. Janë tepër të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Kjo është deponi regjionale, jo vetëm e Pejës. Komuna e Pejës nuk mundet me e përballu e vetme këtë gjendje. Banorët e Pejës janë qytetarë të këtij shteti. Edhe ata votojnë, edhe ata paguajnë taksa. Nuk janë qytetarë të dorës së dytë që shteti me i neglizhu kur kanë nevojë më së shumti. Ku është Qeveria? Ku është Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave? Ku është Inspektorati Mjedisor? Pse nuk po mobilizohen të gjitha kapacitetet e shtetit. I bëj thirrje Qeverisë që menjëherë ta angazhojë FSK-në, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe çdo institucion tjetër që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka kërkuar që deponia të mbyllet.
“Kjo deponi duhet të mbyllet. Inspektorati Mjedisor duhet të dalë menjëherë në terren, ta konstatojë shkallën e ndotjës dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e funksionimit të deponisë, pasiqë aty nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar ajo.
Për këtë çështje kishte reaguar edhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) e cila kishte thënë se deponia në fshatin Sverkë nuk nuk është nën menaxhimin e KMDK-së, dhe se e njejta menaxhohet nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor.
“Përfaqësuesit e KMDK-së kanë vizituar deponinë dhe janë njoftuar nga afër me gjendjen e krijuar. Me këtë rast, KMDK ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur KRM “Ambienti” me kapacitetet e saj profesionale dhe teknike, me qëllim që zjarri të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe të shuhet plotësisht, gjë që e ka bërë edhe në të kaluaren.
Ne këtë situatë, kërkohet angazhim i koordinuar për përmirësimin sa më të shpejtë të situatës, si dhe kujdes dhe përgjegjësi në publikimin e informacioneve, në mënyrë që të mos përhapen dezinformata dhe të mos krijohet konfuzion te qytetarët”, thuhej në reagim e KMDK-së të bërë me 19 korrik. /Reporteri.net/.