Zjarri që prej disa ditësh ka përfshirë deponinë e mbeturinave në fshatin Sverkë të Pejës ka përplasur deputeten e zgjedhur të LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe ministren në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, shkruan Reporteri.net.

E gjitha nisi pasi Bajrami njoftoi se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori, duke kërkuar hetim për përgjegjësinë institucionale lidhur me gjendjen në deponi.

Nuk ka vonuar shumë dhe Pacolli i ka reaguar, duke mohuar se deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë dhe duke ia atribuar përgjegjësinë Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti” në Pejë.

Reklamë

Bajrami dorëzon kallëzim penal

Depueteja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami,  ka njoftuar se ka bërë kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës, në Pejë.

“Sot, përmes postës elektronike, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam dorëzuar kallëzim penal Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Komuna e Pejës”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se deponia regjionale e cila është përfshirë nga zjarri prej pesë ditësh, po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.

Bajrami shton utje se aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.

Reklamë

“Përmes këtij kallëzimi penal kam kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, por edhe përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe institucione të tjera që mund të kenë pasur përgjegjësi. Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të hetuar nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës”, ka shkruar ajo.

Bajraim, tutje shton se asnjë institucion nuk ka të drejtë që me mosveprimet e tij të lejojë që qytetarët t’i ekspozohen për vite me radhë një rreziku të tillë.

“E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e saj është detyrim ligjor i çdo institucioni. Pres që Prokuroria ta trajtojë këtë rast me prioritet, të zhvillojë hetime të plota dhe të sigurojë që çdo person apo institucion përgjegjës të përballet me përgjegjësinë që i takon sipas ligjit. Gjithashtu pres nga institucionet përgjegjëse të ndërmerren hapa konkret në sanimin e gjendjes deri në mbylljen e përhershme të deponisë”, ka shkruar ajo.

“KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sverkës”

Reklamë

Por, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, i ka reaguar deputetes së zgjedur Bajrami, duke thënë se deponia e Sverkës nuk menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).

“Hykmete! ​Nuk e kuptoj nga po të vjen gjithë ky guxim?! Prapë paske gënjyer se Deponia e Sverkës është nën menaxhimin e KMDK-së, përkatësisht ndërmarrjes publike që menaxhon disa deponi, por kurrsesi dhe asnjëherë Deponinë e Sverkës. ​Seriozisht, kjo është për t’u brengosur! Madje, paske dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Qeverisë. Rënia e vazhdueshme e fuqisë suaj politike në këto vitet e fundit ju ka bërë të mos shihni as para syve tuaj. Mbase edhe ky diell i rëndë ndikon; ashtu siç ndez zjarre në deponi të pamenaxhuara mirë, ndez zjarre edhe në fraksione të pamenaxhuara mirë. ​Megjithatë, mbase ke bërë mirë që dorëzuar kallëzim penal. Por shpresoj Prokuroria fillon një hetim dhe ndoshta avokatët tuaj (se ti jo se jo), kur të thirresh si dëshmitare, më në fund ta ngulisin në kokë statusin e Deponisë së Sverkës!”, ka reaguar Pacolli.

Tutje ministrja në detyrë në reagim thotë se deponia e Sverkës menaxhohet nga njerëzit e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Unë e di që ti, e rreshtuar në njërën nga këto fraksionet që po ju krijohen, të ka rënë fati i keq të jesh në rresht me Gazin (Muhaxherin), i cili ka shumicën e aksioneve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti”. Por, duhet ta dish se Gazi nuk mbrohet me bllofe, sepse rrena i ka këmbët e shkurtra.
​Sa për ta ditur, meqë është e qartë se je shumë e zënë duke shpërndarë gënjeshtra: KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sverkës. Atë e menaxhojnë njerëzit e Gazit, të cilin po mundohesh ta mbrosh duke u bërë centrifuga e përgjegjësisë së tij. Një gjë që ti thua është e vërtetë: Deponia e Sverkës nuk është trajtuar në bazë të standardeve, edhe përkundër faktit se KMDK e ka këshilluar kompaninë e Gazit për ndarjen e shtresave të mbeturinave me dhe apo materiale të tjera që nuk digjen. Ama, është kjo nonshalanca që ju përcjell juve në çdo nivel dhe që nuk respekton asnjë standard, gjë që po shihet edhe në këto dy reagimet e tua”, thotë ajo.

Reklamë

Tutje, Pacolli shton se ​Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë atë që i takon për situatën e krijuar, ndërsa thotë se shpreson që Prokuroria do ta ndjekë çështjen e Deponisë së Sverkës, pasi sipas saj përgjegjëse për të është LDK.

“Ju, Hykmete, sikurse LDK nuk dini çfarë është përgjegjësia, sepse karriera juaj është e mbështetur në viktimizim. Ju, pra, nuk i kryeni punët, sepse keni krijuar një alternativë ndaj punës: viktimizimin.
​Gjithmonë ju ndodh kështu; edhe kur pësoni debakël politik kudo, dilni para opinionit për t’u viktimizuar, me shpresën që do të vazhdojë t’ju besojë dikush. Prandaj, Hykmete, jeni këtu ku jeni si subjekt politik, sepse mund të gënjesh dikë për një kohë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë, përherë. ​Edhe një herë, po shpresoj fort që Prokuroria do ta ndjekë çështjen e Deponisë së Sverkës, e cila s’ka se si të mos të çojë në adresën e vetme që ka përgjegjësinë për këtë situatë: në LDK! Pastaj, të ulemi së bashku e t’i hapim letrat, të shohim kush dhe pse gënjeu, për çfarë motivesh, por, çfarë është më e rëndësishmja, të shohim se kush është përgjegjës për këtë katastrofë ekologjike!
​Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë atë që i takon për këtë situatë: Inspektorati ka shqiptuar dënim në shumën prej 5000 eurosh për KRM “Ambienti”, pikërisht për shkak të mosrespektimit të standardeve.
Në anën tjetër, KMDK-ja ka shkuar për ta asistuar kompaninë e Gazit, dhe e di si ka qenë situata, Hykmete!? Askush nga zyrtarët apo punëtorët e Gazit s’ka qenë në terren, qoftë edhe sa për ta monitoruar situatën! Sepse ju nuk punoni, Hykmete, veç viktimizoheni!”, ka shkruar Pacolli.

Një reagim ka ardhur edhe nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) e cila thotë se deponia në fshatin Sverkë nuk nuk është nën menaxhimin e KMDK-së, dhe se e njejta menaxhohet nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor.

“Përfaqësuesit e KMDK-së kanë vizituar deponinë dhe janë njoftuar nga afër me gjendjen e krijuar. Me këtë rast, KMDK ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur KRM “Ambienti” me kapacitetet e saj profesionale dhe teknike, me qëllim që zjarri të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe të shuhet plotësisht, gjë që e ka bërë edhe në të kaluaren.
Ne këtë situatë, kërkohet angazhim i koordinuar për përmirësimin sa më të shpejtë të situatës, si dhe kujdes dhe përgjegjësi në publikimin e informacioneve, në mënyrë që të mos përhapen dezinformata dhe të mos krijohet konfuzion te qytetarët”, thuhet në reagim të KMDK-së. /Reporteri.net/.

Reklamë