Një anije luftarake e Marinës Ruse është goditur të dielën nga dronë detarë të dyshuar ukrainas në bazën detare të Bengazit, në lindje të Libisë. Sulmi ka shkaktuar shpërthim dhe zjarr, ndërsa anija ka pësuar dëme të mëdha.

Sipas raportimit të mediumit Associated Press (AP), duke iu referuar zyrtarëve ushtarakë libianë, objektiv i sulmit ishte korveta ruse “Merkury”, e cila ishte ankoruar në bazën detare të Bengazit për furnizim me karburant dhe pajisje.

Nga hetimet fillestare dyshohet se dronët detarë janë nisur nga një bazë e kontrolluar nga forcat ukrainase në perëndim të Libisë.

Reklamë

Sipas zyrtarëve libianë, të paktën katër dronë janë interceptuar dhe shkatërruar, ndërsa dy të tjerë kanë arritur ta godasin anijen luftarake.

Sulmi shkaktoi shpërthim dhe zjarr në bazën detare, por flakët u vunë më vonë nën kontroll.

Qeveria e Libisë me seli në lindje të vendit ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se ka nisur hetime të përbashkëta me autoritetet ruse për të zbuluar rrethanat e sulmit dhe përgjegjësit.

Dy burime mjekësore kanë bërë të ditur për AP-në se nuk është raportuar për viktima, por ka pasur persona të lënduar. Numri dhe kombësia e tyre nuk janë bërë të ditur.

As Ukraina dhe as Rusia nuk kanë reaguar menjëherë lidhur me sulmin, ndërsa deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë.

Reklamë

Ngjarja ndodh në një kohë kur Libia mbetet e ndarë politikisht dhe ushtarakisht, ndërsa territori i saj është shndërruar në një pikë të rivalitetit mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.