Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Endrit Azemit, i dyshuar për mashtrim me donacione, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute.

Sipas vendimit të Gjykatës, i dyshuari dyshohet se nga 9 deri më 21 nëntor 2026 kishte sajuar një histori se vuante nga kjo sëmundje, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohej trajtimit mjekësor.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se ai dyshohet se kishte përdorur këtë histori për të përfituar para nga qytetarët, përmes hapjes së një fushate në platformën “GoFundMe”, si dhe përmes aktiviteteve për mbledhjen e donacioneve në qytetin e Gjilanit.

Reklamë

Nga fushata online dyshohet se janë grumbulluar 162 mijë e 522 euro, ndërsa nga aktivitetet në Gjilan edhe 26 mijë e 684 euro e 80 cent.

Në total, sipas Gjykatës, shuma e mbledhur arrin në 189 mijë e 206 euro e 80 cent.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa ka konsideruar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Endrit Azemi dyshohet për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Reklamë

I pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim përfundimtar të gjykatës.