Fehmi Hoti, Arben Paçarizi dhe Arbnesh Ajvazi janë tre kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net nga burimet e saj.
Konkursi për këtë pozitë është hapur pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga drejtimi i Policisë, më 30 tetor të këtij viti, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Pas largimit të tij, Fehmi Hoti është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm.
Hoti ka përvojë shumëvjeçare në Policinë e Kosovës dhe, para se të merrte detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, ka mbajtur pozita të ndryshme udhëheqëse në këtë institucion.
Në garë është edhe Arben Paçarizi, i cili është caktuar drejtor i Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturën udhëheqëse të Policisë së Kosovës.
Kandidati tjetër është Arbnesh Ajvazi, i cili ka udhëhequr Departamentin e Rendit Publik në Policinë e Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme kishte shpallur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm më 4 nëntor, ndërsa afati për aplikim ishte deri më 19 nëntor 2026.
Sipas konkursit, drejtori i ri do të ketë mandat pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër. Përzgjedhja dhe vlerësimi i kandidatëve bëhet nga Komisioni për Emërime të Larta në Policinë e Kosovës.
Reporteri.net i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe sot me pyetje lidhur me emrat e kandidatëve dhe numrin e aplikuesve në këtë konkurs, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje nga kjo ministri./Reporteri.net/