Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për kultivim të kanabisit, armëmbajtje pa leje dhe ndihmë kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të pandehurit, I.M. dhe M.M., dyshohet se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimën narkotike “Cannabis Sativa” në një shtëpi me qira në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve. Ata akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërkaq, i pandehuri K.S. akuzohet për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Reklamë

Sipas aktakuzës, veprimtaria e dyshuar ka zgjatur nga një periudhë e pavërtetuar deri më 2 prill 2026. I.M. dyshohet se e ka financuar këtë aktivitet, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e tyre, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të realizuar më 2 prill 2026, në shtëpinë me qira është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit. Aty janë sekuestruar pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pajisje matëse, pompa, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e “Cannabis Sativa”.

Në këtë lokacion janë gjetur gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike. Prej tyre, 450 janë zbuluar brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborr.

Prokuroria njofton se gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe mostra të bimëve, të cilat pas ekspertizës kanë rezultuar pozitive për përmbajtje të kanabisit.

Po ashtu, më 2 prill 2026, në një deponi në Prizren janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se M.M. kishte tentuar t’i asgjësonte.

Reklamë

Përveç veprës penale të kultivimit të kanabisit, I.M. dhe M.M. akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M. janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M. një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.

Ndërkaq, K.S. dyshohet se më 31 mars dhe 1 prill 2026 e ka ndihmuar M.M. në asgjësimin e bimëve narkotike, duke transportuar me automjetin e tij thasë të mbushur me bimë “Cannabis Sativa” nga shtëpia deri në deponinë në Prizren.