Shefja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh ushtruese e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të procedohet në Kuvend nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Çitaku tha se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draft, ndërsa shprehu besimin se gjatë ditës do të pranohet një version fillestar i tij.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që kjo nismë të ketë mbështetje të gjerë politike dhe qytetare, duke shtuar se ajo tashmë nuk është vetëm iniciativë e PDK-së, por ka edhe mbështetjen institucionale të Kosovës.

Reklamë

“Brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë gëzon unitetin e plotë politik e qytetar në Kuvend dhe është shumë e rëndësishme që kjo nismë nuk është vetëm e PDK-së, tashmë kjo nismë ka vulën e institucioneve të Republikës. Ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit, po besoj se sot do të pranojmë një draft të parë, brenda javës do ta procedojmë si nismë ligjore në Kuvendin e Republikës”, deklaroi Çitaku.

Ajo bëri të ditur se PDK-ja do të jetë e hapur për diskutime, këshilla dhe rekomandime gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet parlamentare. Sipas saj, synimi është që ligji të kalojë sa më shpejt në të dyja leximet.

Çitaku tha se kjo nismë është vetëm njëri nga instrumentet që institucionet e Kosovës synojnë ta përdorin për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo u shpreh se, pavarësisht dallimeve të thella politike me Lëvizjen Vetëvendosje, UÇK-ja mbetet një vlerë që i bashkon subjektet politike.

“Do të jemi të hapur brenda punës që do të bëhet në komisione funksionale, të bashkëbisedojmë, të marrim këshilla, rekomandime dhe synimi ynë jo vetëm i PDK-së është që shumë shpejt, brenda një afati shumë optimal, ky ligj të kalojë në të dyja leximet. Ligji është vetëm një nga instrumentet që institucionet do ta vënë në funksion të mbrojtjes së luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi proceduar ligjin edhe kur e kemi miratuar, është edhe sot, por përkundër hendekut të madh mes nesh dhe dallimeve të thella politike që kemi, UÇK-ja është një vlerë që na bashkon të gjithëve”, tha ajo.

Reklamë

Duke komentuar qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj kësaj nisme, Çitaku tha se PDK-ja ka qenë e vetëdijshme që nga fillimi se ajo nuk do të mirëpritej nga BE-ja.

Ajo kritikoi Bashkimin Evropian, duke pretenduar se nuk ka arritur të garantojë një proces të drejtë dhe të barabartë në Dhomat e Specializuara. Sipas Çitakut, Kosova i ka përmbushur obligimet e saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë kur ka themeluar këtë institucion.

“Ne e kemi ditur që nga dita e parë se kjo nismë ligjore nuk do të duartrokitet nga Bashkimi Evropian, por Kuvendi është institucioni prej nga buron legaliteti i Dhomave të Specializuara, institucion të cilin e kemi themeluar në mirëbesim. Ne kemi kryer pjesën tonë të detyrimit karshi partnerëve dhe BE-së, duke e themeluar këtë Dhomë për të hetuar disa pretendime skandaloze e monstruoze, sikurse ai për trafikimin e organeve. Fatkeqësisht, BE-ja nuk e ka kryer obligimin e saj ndaj Kosovës, nuk ka arritur që të garantojë një proces të drejtë e të barabartë”, deklaroi Çitaku.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion nga Drejtoria Ligjore lidhur me veprimet e mëtejshme, pas skadimit të afatit katërjavor për procedimin e raportit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Reklamë