Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit, i cili ndodhet në paraburgim nën dyshimin se mashtroi qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia, ka kërkuar falje publike ndaj të gjithë atyre që kontribuuan me para për shërimin e të birit.
Në një deklaratë për Tëvë1, ai ka thënë se familja nuk kishte pasur dijeni për mashtrimin e dyshuar, ndërsa ka pretenduar se paratë e mbledhura përmes platformës “GoFundMe” dhe në sheshin e Gjilanit ndodhen në bankë.
Azemi ka shprehur keqardhje për qytetarët që kanë dhënë para, pavarësisht shumës, duke thënë se familja nuk ka përfituar nga donacionet.
“Unë i kërkoj falje shqiptarizimit që kanë kontribuar deri edhe 5 cent. Paratë janë tek ‘GoFundMe’, paratë tek sheshi çka janë mbledhë, krejt janë në bankë, e dinë policia. Ato pare krejt kthehen, as 5 cent nuk kemi marrë”, ka deklaruar ai.
Babai i të dyshuarit ka thënë se djali i tij nuk ka mundur ta organizojë i vetëm gjithë këtë veprimtari, duke përmendur edhe persona të tjerë që, sipas tij, janë shoqëruar me Endritin.
“Djali jem nuk ka mujt me bo këtë plan kurrë në jetë të vet. Qysh ka mujt me shku në Prishtinë me marrë fals, në Turqi fals, unë nuk po e di qysh”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se për një periudhë rreth dyjavore Endriti nuk ishte paraqitur në shtëpi, ndërsa familjarëve u kishte thënë se do të udhëtonte për në Turqi për shkak të sëmundjes.
Sipas tij, herën e fundit që e kishte parë, djali ishte dukur shumë i dobët dhe i lodhur. Ai ka thënë se më 31 të muajit, vajza e kishte njoftuar se Endriti ishte nisur për në Turqi.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar Endrit Azemit masën e paraburgimit prej një muaji, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Azemi ka pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe, përmes platformës “GoFundMe” dhe thirrjeve për ndihmë të organizuara në qytet, ka përfituar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 80 centë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, për rreth dy javë, ai dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror i ka vënë në lajthitje qytetarët, duke sajuar se ishte i sëmurë nga leukemia akute.