Një grua ka denoncuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga personi me të cilin ishte në lidhje dashurie, i cili më pas dyshohet se ka shtënë dy herë me armë zjarri.

Rasti ka ndodhur të dielën, më 23 nëntor, rreth orës 18:00, në Vushtrri.

Viktima fillimisht është dërguar në Emergjencën e Vushtrrisë dhe më pas në QKUK në Prishtinë për tretman mjekësor.

Reklamë

Pas trajtimit, ajo është intervistuar nga Policia, ku ka deklaruar se i dyshuari fillimisht e kishte sulmuar me një mjet të fortë dhe më pas kishte shtënë dy herë me armë zjarri.

Njëra e shtënë, sipas deklarimit të viktimës, ishte bërë në ajër, ndërsa tjetra në drejtim të këmbëve të saj.

“Viktima pas tretmanit mjekësor është intervistuar dhe e njëjta ka deklaruar se i dyshuari fillimisht e kishte sulmuar me një mjet të fortë dhe më pas e kishte gjuajtur me armë zjarri dy herë, një herë në ajër dhe një herë në drejtim të këmbëve të saj”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur tre fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy karikatorë të zbrazur të armës së gjatë.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Reklamë