Në Gjykatën Themelore në Pejë pritet të mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Jeton Sylajt, i akuzuar për kanosjen e tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj.

Seanca është caktuar për në orën 13:00, pas shtyrjes së asaj të planifikuar për 12 nëntor.

Sipas njoftimit të mëhershëm të gjykatës, shtyrja ishte bërë me kërkesë të avokatit Besnik Berisha, përfaqësues i autorizuar i palës së dëmtuar, i cili kishte njoftuar për pamundësinë e pjesëmarrjes në seancë.

Reklamë

Gjykata kishte miratuar kërkesën pasi kishte marrë mendimet e palëve të pranishme.

Jeton Sylaj akuzohet për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.